×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    ‘Eksperimenti’ i kardiokirurgëve që pasoi me vdekjen e 63 vjeçarit – ShSKUK nuk merr asnjë masë

    Insajderi
    05 January 2023 - 15:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një mjek i Klinikës së Kardiokirurgjisë në QKUK e ka shpërndarë si sukses një operacion të rrallë të kryer ndaj një 63 vjeçari. Vetëm disa orë pas intervenimit pacienti ka vdekur. Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës nuk ka marr asnjë masa deri tani për kardiokirurgët që operuan pacientit pa pasur kompetenca.

    Kardiokirurgu Kushtrim Shala përmes një postim në Facebook, të publikuar 18 orë më parë ka pretenduar se ka kryer me sukses operacion “David”, një nga operacionet më të rrallë tek një pacient me diseksion akut të aortës.

    Lidhur me këtë rast drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë Dr. Rifat Brahimaj, ka thënë se mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetent për këtë intervenim, pasi nevojitet përvojë e gjatë dhe ekspertizë.

    “Jam në pushim por jam informuar për rastin. Mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetent për ndërhyrje të tilla sepse ata kanë vështirësi edhe në procedura standarde. Të hysh në një procedurë të tillë pa pasur përvojën e duhur dhe ta paraqitësh si sukses, e pacienti ndërron jetë pas disa orësh, kjo me të vërtetë është hipokrizi”, ka deklaruar Brahimaj për Shnetën.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, të dijë se si mjekët jokompetet kanë bërë një intervenim të tillë.

    Duke injoruar në total pyetjet, ShSKUK një përgjigjen e tyre kanë komentuar vetëm publikimin e fotografisë nga kardiokirurgu.

    ShSKUK ka thënë se asnjë mjekë apo drejtore klinikë nuk ka të drejtë të publikoj pamje nga institucionet ku punon, pa autorizim të zyrës për media.

    “Të gjithë drejtorët e klinikave, spitaleve të përgjithshme dhe njësive tjera në kuadër të ShSKUK-së, disa herë janë të njoftuar përmes Urdhëresës, në formë të Qarkores Informative, nga menaxhmentet në të kaluarën, por edhe tani, se kanë ndaluar publikimin e shkrimeve, fotografive dhe materialeve tjera nga institucionet ku punojnë, pa autorizim paraprak nga Zyra për Medie dhe Marrëdhënie me Publikun në ShSKUK, kjo me qëllim që informatat që publikohen të jenë konform kritereve të përcaktuara etike dhe profesionale”, huhet në përgjigjen e MSH dhënë Insajderi.

    Tutje, nga ShSKUK thanë se drejtori Brahimaj ka obligim të ndërmarr masat e nevojshëm ndaj kardiokirurgut dhe ekipi të tij.

    “Secili drejtor i institucionit, në këtë rast edhe drejtori i Shërbimit të Kardiokirurgjisê, ka obligim që të ndërmarrë masat konform legjislacionit në fuqi, për mosrespektim të kësaj urdhërese”, thuhet me tej.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark