Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir shprehet skeptik për nënshkrimin e ndonjë marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 marsit që do të mbahet në Ohër.
Ben Meir thotë se 50/50 janë shanset që të ketë marrëveshje dhe për këtë, sipas tij, faji kryesor është presioni jashtëzakonisht i madh që po i bëhet presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, nga Vladimir Putin.
Ben Meir shton se Putin është kundër marrëveshjes Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve, sepse synimi i tij është destabilizimi i situatës në Ballkan.
“Shanset që Vuçiq dhe Kurti të nënshkruajnë marrëveshjen më 18 mars sipas meje mund të jenë 50/50. Arsyeja është se Vuçiq është nën presion të jashtëzakonshëm nga Putini për të mos nënshkruar asnjë marrëveshje me Perëndimin, veçanërisht me BE-në, në lidhje me Kosovën, pasi Putini do të donte të destabilizonte situatën në Ballkan, në vend që të lejonte që një marrëveshje e tillë të krijonte një proces normaliteti mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai.
Krahas presionit të Putinit, Ben Meir shton se presidenti serb është në presion të madh edhe nga BE-ja dhe SHBA-të që ta nënshkruaj këtë marrëveshje dhe sipas tij ekziston një mundësi që Vuçiq të largojë presionin e presidentit rus.
Kjo mund të bëhet duke i shpjeguar Rusisë se marrëveshja nuk parasheh njohjen reciproke Kosovë-Serbi.
“Nga ana tjetër, Vuçiq është nën presion të jashtëzakonshëm edhe nga BE-ja se do ta nënshkruajë marrëveshjen më 18, konkretisht sepse gojarisht ka thënë se do ta bëjë.Unë jam i prirur drejt nënshkrimit të tij, sepse ai mund të përfitojë nga përmirësimi i marrëdhënieve me Perëndimin, veçanërisht BE-në dhe SHBA-në, dhe ai ende mund të shpjegojë se marrëveshja nuk përbën njohje të Kosovës nga Serbia”, tha Ben Meir.
Nga ana tjetër, eksperti amerikan shton se Vuçiq nuk dëshiron të dëmtojë besueshmërinë e tij me Perëndimin sepse e ardhmja e sigurtë e Serbisë varet nga anëtarësimi në BE.
“Kjo sigurisht mund ose nuk mund të kënaqë Putinin, por unë mendoj se në këtë moment, Vuçiç nuk dëshiron të dëmtojë rëndë besueshmërinë e tij me Perëndimin. Kjo posaçërisht sepse në analizë përfundimtare, në një moment në të ardhmen ai do të donte shumë të anëtarësohej në BE, ku e sheh të ardhmen e Serbisë më të sigurt dhe më të begatë”, tha Alon Ben Meir për GazetaBlic.