Eksperti i Organit Shqyrtues së Prokurimit, Faruk Rexhaj ka rekomanduar që tenderi afro 15 milionësh për renovimin e stadiumit të Gjilanit të cilin Alban Hyseni ua besoj dostave të tij të anulohet në tërësi. “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”, janë grupi i operatorëve ekonomik që dhanë ofertën më të shtrenjtë për renovimin e stadiumit, dhe që u përzgjodhën. Por me rekomandimin e fundit të OSHP, ky tender pritet të ritenderohet. Kjo për shkak të rekomandimit që ka dhënë eksperti.
Në ekspertizën që Insajderi ka siguruar, shihet se eksperti ka rekomanduar që “Të anulohet në tërësi aktiviteti i prokurimit, sipas përshkrimit të mësipërm”.
Ai ka rekomanduar të “anulohet njoftimi mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues i datës 31.05.2024, njoftim për dhënie të kontratës”.
Me datën, 16 qershor grupit i operatorëve ekonomik “N.N.P. “EURO CONSTRUCTION”, që njëherit ishin ofertuesi më i lirë, kanë parashtruar ankesën e tyre kundër njoftimit për dhënie te kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit: Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Gjilanit me numër të prokurimit 651-23-13546-5-1-1, të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues, Komuna e Gjilanit.
E cila ankesë nga eksperti është vlerësuar pjesërisht e bazuar, nga eksperti i OSHP-së.
Përgjigjet e ekspertit për ankesat e parashtruara
Eksperti i OSHP-së i ka dhënë përgjigje 10 pretendimeve ankimore të “N.N.P “Euro Construction”.
Tek pretendimi ankimor, numër 1 siç ka parë Insajderi, operatori ekonomik ankues është eliminuar sepse nuk ka vendosur çmimin në paramasë.
Eksperti shqyrtues konstaton se sipas nenit Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik nr 001/2023 neni 10.1 në rastet kur lista e çmimeve nuk është plotësuar atëherë tenderi duhet te refuzohet pa kërkuar informacion të mëtejshëm:
Sipas pretendimit ankimor nr 2 operatori ekonomik ankues pretendon se është eliminuar padrejtësisht nga aktiviteti i prokurimit pasi që sipas vlerësimit nga autoriteti kontraktues Udhëheqja e Punishtes e prezantuar në ofertë nuk e plotëson kërkesën e autoritetit kontraktues.
…
Gazeta Insajderi ka raportuar ekskluzivisht mbi këtë tender, përkatësisht parregullsitë.
Deri tek nënshkrimi i këtij tenderi dyshohej se ishin kryer një sërë shkeljesh. Duke filluar nga menaxheri i zyrës së prokurimit i cili mundësoi nënshkrimin e këtij tenderi e deri të pronarët e kompanive të përzgjedhura. Drejtues dhe sponsorë të klubit futbollistik Gjilani, si dhe persona të afër me zëvendësministrin e Kurtit. Përkatësisht, ‘dosta’ të Alban Hysenit.
“Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”, ishin grupi i operatorëve ekonomik që dhanë ofertën më të shtrenjtë për renovimin e stadiumit të Gjilanit, ndërkohë që në garë ishin edhe dy grupe tjera me oferta më të lira.
Gazeta Insajderi kishte mësuar se Kujtim Bajrami, menaxheri i zyrës së prokurimit ishte personi i vetëm që pranoi t’ia japë grupit të operatorëve më të shtrenjtë tenderin.
Madje, ishte pikërisht mos certifikimi i tij që ndikoi që përzgjedhja të shtyhet, pra derisa ai u certifikua.
Nga burime të sigurta është mësuar se Kujtim Bajrami është mik i kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni.
Insajderi kontaktoi Bajramin por i njëjti ka kërkuar të presim përgjigje nga Zyra për Informimin në Komunën e Gjilanit.
Kujt iu besua tenderi?
Me 31 maj, Komuna e Gjilanit e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje i dha tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomik “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”. Grupi ky me ofertën më të shtrenjtë. Pronarët e këtyre kompanive mësohet se kanë ndërlidhje me njëri-tjetrin.
Drejtues dhe sponsorët e klubit futbollistik Gjilani janë përfitues të këtij tenderi, Pronari i kompanisë El-Bau, Fatlum Pireva dhe pronari i kompanisë “Demiri GartenBau GmbH” Qëndrim Demiri janë aksionarë në klubin e futbollit “KF Gjilani”.
Përpos drejtueseve të klubit të Gjilanit përfitues del të jetë edhe Bujar Shabani, miku i Hysen Durmishit të Vetëvendosjes, si dhe firma “AVAG” e cila është në pronësi të punëtorit të firmës tjetër përfituese të tenderit, kompanisë “El-Bau” të Fatlum Pirevës.
Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht kryetari Alban Hyseni mbi këtë çështje por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri tani.
Ofertat milionëshe për renovimin e stadiumit të Gjilanit
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 15 milionë euro për vazhdimin përkatësisht renovimin e stadiumit të Gjilanit.
Çeku kishte deklaruar se kanë ndarë edhe 15 milionë euro për renovimin e stadiumit duke qenë se sipas tij me problemet e mëdha që kishte në këtë tender që nuk përfundoi asnjëherë, problemi do të vazhdonte deri në viti 2054.
Në muajin janar të këtij viti pritej të kryhej procedura e prokurimit tenderi për renovim por u pezullua. Ky vendim ishte marrë pas ankesës që kishte parashtruar operatori ekonomik “Bardhi Ndërtim Sh. P.K”, nën pronësi të biznesmenit, Bardhyl Zeka.
Sidoqoftë, me 31 janar ishte marrë vendim që ky tender t’i besohet grupit të operatorëve ekonomikë me ofertën më të shtrenjtë. Pra grupit të operatorëve ekonomik “Demiri Cartenbau CmblI”, “AVAG GROUP SH.P.K”, “BL-BAU. SH.P.K., “Bujar Shabar”, “B.L: KOSOVA”, :ASFALT SH.P.K”, “K.N.T.SH. Teuta – M”, “SH. R.M. Lagerstrasse 1-1”, “6600 Lubendorf”.
Ndërkohë në garë ishte edhe Grupi i operatorëve ekonomikë: “Pro & Co”, “Group SH.P.K”, “Companya Eskavatori” dhe “Sh.p.k.; Palma”, të cilët kanë ofruar 14 milionë e 400 mijë euro për renovimin e stadiumit.
Si dhe grupi i operatorëve ekonomikë : “N.N.P”, “EURO CONSTRUCTION”, “Beni Construction SH.P.K”, “2T Shpk”, “2A Group SH.P.K”, “DOMID SH.P.K’ të cilët sipas dokumentit të tenderimit kanë ofruar 13 milionë e 274 euro, njëherit edhe çmimi më i ultë që ishte ofruar.
/GazetaInsajderi