Eksperti i sigurisë: Alarmuese se si Policia e Kosovës po rrëshqet drejt abuzimit ndaj qytetarëve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Eksperti i sigurisë: Alarmuese se si Policia e Kosovës po rrëshqet drejt abuzimit ndaj qytetarëve

    Insajderi
    08 July 2025 - 10:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka reaguar ashpër pas dy rasteve të fundit të dhunës policore në Kosovë, njëri prej të cilëve përfundoi tragjikisht me vdekje.

    Ai e cilëson situatën si alarmuese dhe paralajmëron për një rrëshqitje të Policisë së Kosovës drejt abuzimeve sistematike dhe kriminalitetit të strukturuar.

    “Brenda vetëm një jave, Kosova është tronditur nga dy raste të dhunës policore – njëri përfundoi me fatalitet. Të dyja u trajtuan vetëm pasi u publikuan videot nga qytetarët, çka tregon mungesë të theksuar të transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale”, tha Elezi.

    Ai vë në pah se organet përgjegjëse, përfshirë Inspektoratin Policor të Kosovës, po reagojnë vetëm kur përballen me presionin publik, duke lënë të hapur dyshimin se shumë raste të abuzimeve nga zyrtarët policorë mund të jenë heshtur ose mbyllur për mungesë provash vizuale apo interesimi nga media.

    “Është e papranueshme që institucionet të varen nga videot e qytetarëve për të vepruar ndaj shkeljeve. Ato duhet të jenë pararojë e ligjit, jo mbrojtëse të abuzuesve në uniformë”, u shpreh eksperti.

    Ai bën thirrje për një reformë rrënjësore në sistemin e llogaridhënies brenda Policisë, hetime të pavarura për çdo rast abuzimi dhe përdorim të teknologjisë për monitorim të përhershëm, si kamerat trupore dhe mbikëqyrje të ndalimeve.

    “Sot, më shumë se kurrë, është koha për drejtësi. Ligji duhet të vlejë njësoj për qytetarët dhe për zyrtarët”, shkroi ai./Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark