×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Eksperti në AKK e “mjelë” buxhetin e shtetit, ngriten dyshime për qëllimet e udhëtimeve të tij jashtë vendit

    Insajderi
    04 July 2024 - 14:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një këshilltar i jashtëm në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës (AKK) i ka harxhuar gjithsej 2,734 euro në akomodim dhe bileta për udhëtime jashtë vendit. Për të njëjtin janë ngritur dyshime lidhur me kohën e angazhimeve dhe qëllimet e këtyre udhëtimeve.

    Zyra Kombëtare e Auditimit në gjetjet e tyre ka publikuar raportin për pasqyrat financiare vjetore për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës për vitin 2023. Në një nga shkeljet e identifikuara nga ZKA’ja është edhe rasti i çuditshëm i një këshilltari të jashtëm, i angazhuar si ekspert, shkruan Gazeta Insajderi.

    Siç përshkruhet nga ZKA’ja, kryetarja e AKK’së kishte marrë vendime që pjesë e delegacioneve për udhetime zyrtare të jetë edhe një person në cilësinë e këshilltarit të jashtëm.

    “Ky person në cilësinë e ekspertit kishte tri marrëveshje afatshkurtëra me ZKM me qëllim angazhimi në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, që për objektiv kishte kryesisht – Asistencë teknike në draftimin e rregulloreve të AKK-së bazuar në ligjin e ri të konkurrencës dhe EU aquis”, thuhet në gjetjet e ZKA’së.

    Shpenzimet e këshilltarit të jashtëm në bileta dhe akomodime ishin 2,734 euro. Shpenzimet thuhet se mbuloheshin për shkak të “njohurive të tij në fushën e konkurrencës dhe ofrimit të mundësive në rritjen e bashkëpunimit të AKK’së me institucionet relevante në arenën ndërkombëtare”.

    “Pjesëmarrja e tij në tri udhëtimet zyrtare nuk përkon me kohen e angazhimeve të tij si dhe me temat apo qëllimet e këtyre udhëtimeve”, thuhet tutje në gjetjet e ZKA’së për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës.

    ZKA’ja i ka rekomanduar kryetares së AKK-së të sigurojë menaxhim efikas dhe racional të parasë publike si dhe zbatueshmëri të legjislacionit gjatë realizimit të shpenzimeve.

    Mirëpo, me këtë gjetje të ZKA’së nuk janë pajtuar nga institucioni i AKK’së, të cilët thonë se këshilltari kishte kontratë përmes Zyrës së Kryeministrit për përkrahjen e Autoritetit të konkurrencës.

    “Duke pas parasysh përvojën e gjatë të këshilltarit (ekspertit) në fjalë, Kryetarja e Autoritetit ka vendosur te përfshijë këshilltarin ose ekspertin në ekipin e saj ne udhëtimet zyrtare. Eksperti në forma të ndryshme ka qenë i angazhuar për të kryer punë për Autoritetin që nga viti 2014, dhe duke pasur parasysh reputacionin e mirë të tij në vendet e BE-së edhe kjo është një arsye shtesë që e kemi përfshirë në ekipin tonë për bashkëpunim ndërkombëtar”, thuhet ndër të tjera në versionin e tyre.

    ZKA’ja precizon se përderisa kontrata e ekspertit mbulonte periudhën 20 maj deri më 10 qershor, prej 19 deri më 24 qershor të 2023-ës kishte realizuar një udhëtim në Republikën Çeke.

    Në anën tjetër, kontrata e ekspertit mbulonte periudhën nëntor-dhjetor për aktivitetin “Kursi veror mbi të drejtën evropaine të prokurimeve publiek”, kurse vizita në Trier të Gjermanisë ishte realizuar më 10-16 shtator të vitit që shkoi.

    “…Si dhe, udhëtimi i realizuar me 07 tetor 2022 në Trier të Gjermanisë, kontrata e eksperitit ishte nga nëntori 2022 deri janar 2023”, thuhet ndër të tjera në gjetje. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark