
Atentati që iu bë dy shqiptarëve në Athinë mund të kishte përfunduar më tre viktima, pasi e plagosur nga plumbat mbeti edhe një 31-vjeçare greke.
E reja u plagos nga plumbat qorr të agresorit, i cili qëlloi me breshëri ndaj dy shqiptarëve. Ajo ishte ulur një tavolinë pas shqiptarëve, bashkë me të motrën.
Ajo ka rrëfyer për protothema.gr se është tmerruar nga ngjarja dhe se nuk ka arritur të shohë autorin, pasi ishte kthyer me kurriz nga tavolina e dy shqiptarëve.
“ Isha me motrën time në lokal, pikërisht pas tavolinës ku ishin ulur dy burrat, të cilët kanë vdekur. Ishim në këmbë dhe po flisnim me pronarin e lokalit. Isha kthyer me kurriz dhe nuk e pashë sulmuesin kur hyri. Kam dëgjuar të shtënat dhe kam parë panikun në sytë e të gjithëve. Në fillim, nuk e kuptova se isha plagosur derisa pashë gjakun. Disa sekonda para se sulmuesi të hynte në dyqan, unë dhe motra ime ndërruam vendet. Përndryshe ajo do të ishte në pozicionin tim tani dhe për fat ne ishim në këmbë, përndryshe plumbi do të më kishte goditur në kokë”, ka thënë 31-vjeçarja.
Kreshnik Çerçizaj, 41 vjeç dhe Armando Organja, 44 vjeç u vranë teksa ishin ulur në një lokal në qendër të Nea Zmirnit.
44-vjeçari ndërroi jetë, pasi mbërriti në spitalin e Kryqit të Kuq në Greqi, ndërsa 41-vjeçari Kreshnik Çerçizaj ndërroi jetë në vend.
Duket se dy shqiptarë, kanë pasur llogari të hapura me “qarqet” e natës. Oficerët e Policisë së Sigurisë, kanë dal në këtë përfundim duke pasur si “guidë” kryesore videon e momentit të ekzekutimit, materialin primar që kanë mbledhur nga kamerat e dyqaneve të zonës përreth, si dhe dëshmitë e para të dëshmitarëve okularë.
Hetimet e tyre kthehen te “mafia shqiptare”, pasi profili i vrasësit, lëvizjet e shpejta dhe gjakftohtësia e tij, zbulojnë se bëhet fjalë për një përdorues me përvojë të pistoletës, i cili mund të ketë vrarë edhe më parë.
Të gjitha faktet të çojnë tek vrasësit me pagesë. Autoritetet vlerësojnë se objektivi kryesor ka qenë 41-vjeçari i vrarë në vend, i cili ishte i përfshirë në grupin e mafias. Ndërsa për 44-vjeçarin, rezulton se ai nuk është.
Megjithatë është ende e pa qartë nëse ai është i përfshirë në të njëjtin ring, apo është një humbje kolaterale, për faktin se ai ishte ulur në të njëjtën tavolinë. Megjithatë, burime të sigurta nga Policia thonë se të dy të vdekurit janë të njohur të vjetër të policisë, pra bëhet e qartë se bëhet fjalë për një shlyerje llogarish.