Një shqiptar është ekzekutuar të premten në Alicante të Spanjës. Sipas mediave vendase bëhet fjalë për një 42-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Ai u vra në një zonë turistike nga një person, i cili mbetet ende i paidentifikuar. Autori e ka qëlluar shqiptarin të paktën 5 herë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur teksa viktima ndodhej në një restorant rreth orës 21:50 të së premtes. Shqiptari ndodhej me një çift në një tavolinë të restorantit, kur autori, i cili mbante veshur një kapuç iu afrua dhe qëlloi disa herë mbi të. Më pas, ai u largua në këmbë.
Kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes gjeti shqiptarin të plagosur rëndë dhe pavarësisht se atje u dërgua ambulanca, ai nuk mundi t’i shpëtojë plagëve dhe humbi jetën rreth orës 23:00.
Sipas mediave, 42-vjeçari shqiptar ka precedentë të mëparshëm penalë. Ai jetonte prej disa vitesh në një provincë të Alicante-s. Paraprakisht policia dyshon që ngjarja të ketë ndodhur për larjen e hesapeve mes grupeve të ndryshme kriminale.
Mediat shkruajnë se kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur disa ditë pasi disa anëtarë të dyshuar të mafias ruse u arrestuan për pastrim parash. Një prej tyre është edhe ish-këshilltari i Alteas, Jaime Selles.
Gjatë 18 bastisjeve dhe kontrolleve në Alicante, Madrid, Tarragona e Ibiza policët sekuestruan armë zjarri, 300 mijë euro të thata, diamantë dhe valutë parash online.
Policia ka nisur mbledhjen e dëshmive dhe provave të mundshme në vendin e ngjarjes për autorin. Gjithashtu ata kanë marrë disa kamera sigurie që mund të identifikojnë personin që qëlloi mbi 42-vjeçarin.