Një burrë i dënuar me vdekje për përdhunimin dhe vrasjen e një vajze nëntë vjeçare në vitin 2007, u ekzekutua të martën në Misuri në SHBA.
Christopher Collings, 49 vjeç, u dënua me vdekje në vitin 2012 për përdhunimin dhe vrasjen e Rowan Ford, 9 vjeç, thjeshtra e mikut të tij. Collings u vra me një dozë të vetme pentobarbital të martën në mbrëmje, në burgun shtetëror në Bonne Terre, Misuri.
Ai rrëfeu se e kishte rrëmbyer, përdhunuar dhe më pas e mbyti vajzën kur kuptoi se ajo e njohu, sipas aktakuzës. Më pas ai e fshehu trupin e fëmijës në një gropë, ku u gjet disa ditë më vonë.
Avokatët e Christopher Collings kanë shteruar të gjitha mjetet ligjore në dispozicion të tyre. Gjykata e Lartë e SHBA-së hodhi poshtë një kërkesë për pezullimin e ekzekutimit të hënën. Po ashtu, edhe guvernatori republikan Mike Parson hodhi poshtë apelin e fundit për falje në të njëjtën ditë.
Sipas autoriteteve, ky është ekzekutimi i 23-të që ndodh këtë vit në vend. Pothuajse të gjithë përdorën injeksione kimike vdekjeprurëse, me përjashtim të tre që u bënë me metodën shumë të diskutueshme të thithjes së azotit në Alabama (juglindje) dhe një të katërti në Misuri.
Dënimi me vdekje është hequr në 23 nga 50 shtetet amerikane. Autoritetet në gjashtë shtete të tjera (Arizona, Kaliforni, Ohio, Oregon, Pensilvani, Tenesi) zbatojnë moratoriume për ekzekutimet, pas vendimeve të guvernatorëve të tyre