Mbani mend datën dhe orën. Të dielën, më 12 janar, në orën 20:00, përballen Real Madrid dhe Barcelona në një El Clasico që këtë herë ka në lojë një trofe, pasi luhet në finalen e Superkupës së Spanjës.
Në Jeddah, Arabinë Saudite, trajnerët e të dyja ekipeve, Carlo Ancelotti dhe Hansi Flick, kanë deklaruar se ekipet e tyre janë gati dhe të përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme. Ata e shohin këtë sfidë si një mundësi për të fituar një trofe dhe për të stimuluar më tej ekipet për pjesën tjetër të sezonit.
Carlo Ancelotti: “Përpara kësaj finaleje jemi mirë. Me shumë entuziazëm dhe dëshirë. Problemet që patëm kundër Mallorcas janë zgjidhur dhe të gjithë janë në dispozicion. Një finale kundër Barcelonës është gjithmonë e veçantë, kjo shton presionin. Ata janë një rival historik dhe ndeshjet janë gjithmonë shumë konkurruese. Do të jetë shumë e vështirë për ne dhe për ata. Ne duhet të luajmë shumë mirë, jo mirë, por shumë mirë. Ky titull ka vlerë. Kur fitojmë Superkupën, zakonisht sezoni përfundon mirë duke fituar kampionatin dhe Champions League. Është një ndeshje që të jep shumë vrull për të vazhduar të bëjmë mirë.”
Hansi Flick nga ana tjetër theksoi se Barcelona është gati dhe kërkon trofeun e parë për këtë vit.
Hansi Flick: “Është një sfidë e madhe. Po flasim për ‘El Clasico’ dhe finalen e Superkupës. Nëse fitojmë, do të fitojmë më shumë besim për pjesën tjetër të sezonit. Nëse triumfojmë, do të jetë shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Duhet t’u tregojmë atyre se dimë të luajmë. Këtë duhet ta bëjmë më mirë se sa kundër Athletic Bilbao. Ata janë të fortë, por ne e kemi vetë në dorë. El Clasico ngelet gjithnjë El Clasico. Por presioni shtohet më shumë kur është një finale. Kam luajtur shpesh kundër Real, të përballesh me ta është gjithmonë speciale. Jemi të emocionuar, por te ne dominon besimi për fitoren, si gjithnjë në finale.”
Sfida pritet të jetë një nga më emocionueset e vitit, duke pasur parasysh rivalitetin e përjetshëm mes dy klubeve dhe rëndësinë e trofeut të Superkupës.