Elezi: Po vazhdon votimi përmes postës, përfundon më 8 shkurt – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Elezi: Po vazhdon votimi përmes postës, përfundon më 8 shkurt

    Insajderi
    04 February 2025 - 16:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës që kur u regjistruan si votues jashtë Kosovës e përzgjodhën këtë mënyrë votimi. Ky lajm është bërë i ditur për RTKLive nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se procesi i votimit përmes postës do të përfundojë më 8 shkurt.

    “Aktualisht, është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlen vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit , (1) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025”, ka thënë Elezi.

    Sipas tij, për votimin përmes postës janë duke funksionuar kutitë postare të cilat janë hapur nga KQZ-ja me ndihmën e përfaqësive diplomatike në gjithsej 22 shtete të ndryshme të botës: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicër.

    Gjithashtu, sipas zëdhënësit të KQZ-së, është funksionale edhe kutia postare e KQZ-së në Kosovë.

    Gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, nga 104,924 pjesa më e madhe e tyre (84,600) kanë përzgjedhur votimin përmes postës dhe vetëm 20,324 do të mund të votojnë në përfaqësi diplomatike.

    Elezi, ka treguar se KQZ-ja është duke bërë përgatitjet për organizimin e procesit të votimit në përfaqësi diplomatike, i cili do të organizohet për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës.

    “KQZ është duke bërë përgatitjet edhe për organizimin e procesit të votimit në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, i cili do të mbahet më 8 shkurt 2025 për 20,324 shtetas të Kosovës që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës. Për herë të parë në historinë e Kosovës, procesi i votimit do të organizohet në përfaqësi diplomatike dhe atë në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Republikës së Kosovës, të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës”, njoftoi Elezi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark