
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, ka thënë se ka nisur procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit.
“Ju njoftojmë se në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet është shpërndarë me kohë për në të gjitha Qendrat e Votimit. Gjithashtu, njoftojmë se duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga KQZ, procesi i votimit për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, ka nisur në të gjitha Qendrat e Votimit në Republikën e Kosovës, me përjashtim të ndonjë vonesë disa minutëshe në ndonjë vendvotim.”
Ai ka thënë se procesi i votimit zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,571 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 54 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.
Elezi shtoi se sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar sot është 2,025,105, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna.
“Përveç organizimit të votimit në vendvotime të rregullta, KQZ do të organizojë votimin edhe përmes ekipeve mobile/lëvizëse për 3,467 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese: të drejtën e votës.”