
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se rreth 70% e pakove me fletëvotime, të dërguara nga emigrantët në kutitë postare të hapura në 28 shtete të ndryshme, përfshirë edhe në Kosovë, janë vlerësuar dhe verifikuar deri më 20 shkurt.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Insajderi se nga rreth 70 mijë pako që ishin dërguar përmes postës për votimin jashtë vendit, janë verifikuar 48,018 prej tyre, ndërsa 45,004 janë pranuar dhe 3,014 janë refuzuar.
Pjesa tjetër, 20,938 pako, ende presin të verifikohen.
Përveç këtyre, janë gjithashtu 15,352 vota nga votuesit që kanë votuar në përfaqësitë diplomatike, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit.
Po ashtu, do të verifikohen edhe 12,801 vota me kusht dhe 2,597 vota nga personat me nevoja të veçanta.