Babai i njeriut më të pasur në botë, Elon Musk, ka thënë se djali i tij do të donte ta blinte Liverpoolin.
“Fenway Sports Group”, grup i cili e futi Liverpoolin në portfolion e tij sportive më 2010, ka qenë në kërkim të investimeve të jashtme në të kaluarën, por asnjëherë shitja e plotë nuk është konsideruar seriozisht.
Megjithatë, Errol Musk është pyetur nëse djali i tij ia ka vënë syrin Anfield-it.
“Nuk mund të komentoj për këtë. do ta rrisin çmimin”, tha Musk i vjetër për “Times Radio”.
Kur u pyet sërish për atë nëse Eloni do të donte të blente Liverpoolin, ai shtoi: “Oh, po. Por kjo nuk do të thotë se po e blen”.
“Do të donte, po, është e dukshme. Çdokush do të donte – edhe unë”.
Majin e vitit të kaluar, “Forbes” e renditi Liverpoolin si klubin e katërt më të vlefshëm në botë, me një vlerë prej 5,184 miliardë euro.
Por, kjo është vetëm pak mbi 1 për qind e pasurisë totale të Muskut, e cila besohet të jetë mbi 413 miliardë euro.
FSG shpesh janë kritikuar nga një pjesë e fansave për mungesë investimesh në ekip.