×
  • Lajme
  • Lajme

    Emigrantët e ardhur në Shëngjin duhet të kthehen në Itali, vendos Gjykata në Romë

    Insajderi
    18 October 2024 - 16:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vetëm pak ditë pasi nisi, “skema historike” e Italisë për dërgimin e azilkërkuesve në qendra të ndalimit në Shqipëri ka ngecur.

    Njësia e imigracionit në Gjykatën e Romës vendosi të premten se emigrantët e dërguar nga Italia në Shqipëri nuk mund të paraburgosen. Kjo do të thotë se ata duhet të lirohen – por meqenëse s’mund të lirohen në Shqipëri shkaku i marrëveshjes – ka të ngjarë të kthehen në Itali, raporton “Politico”.

    Qendrat të cilat janë ndërtuar në Gjadër, disa kilometra larg portit të Shëngjinit, u bën funksionale të mërkurën kur 16 emigrantë nga Bangladeshi dhe Egjipti mbërritën me anije nga Italia.

    Por pak pasi përfundoi procesi i identifikimit, katër prej tyre u desh të ktheheshin në Itali. Sipas marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë, në qendrat shqiptare mund të dërgohen vetëm meshkujt e rritur që nuk konsiderohen vulnerabël dhe që vijnë nga “vende të sigurta”. Dy u zbuluan se ishin nën 18 vjeç dhe dy të tjerë kishin probleme shëndetësore.

    Tani, edhe 12 të mbeturit duket se do të kthehen në Itali.

    Gjyqtarët në Romë cituan vendimin e 4 tetorit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, duke thënë se vendet e origjinës së emigrantëve nuk mund të kërkohen “si të sigurta” – siç thuhet në marrëveshjen mes dy shteteve.

    Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e ka përshkruar vendin që udhëheq si “model” për politikën e emigracionit pasi arriti marrëveshje me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për të dërguar deri në 30 mijë emigrantë në vit në qendrat shqiptare.

    Partia anti-imigrante “League”, e cila është pjesë e koalicionit të Melonit, e quajti vendimin e gjykatës “serioz dhe të papranueshëm”.

    Grupet e të drejtave të njeriut e mirëpritën vendimin.

    “Në një kohë kur udhëheqësit e BE-së synojnë të shtrembërojnë rregullat, sensin e shëndoshë dhe vlerat themeluese të bllokut, është inkurajuese të shohësh gjykatësit italianë që mbështesin sundimin e ligjit”, ka thënë Judith Sunderland, drejtore për Evropën dhe Azinë Qendrore në “Human Rights Watch”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark