
Emri i specialistes së Biokimisë Klinike, dr. Slavica Ristic, e cila kishte ndërruar jetë në maj të vitit 2023, po vazhdon të përdoret në mënyrë të paligjshme nga tri laboratore private, të cilat kanë falsifikuar licencën e saj të punës dhe kanë përdorur vulën e saj në analizat laboratorike.Përveç laboratorëve “Dibuna Lab” dhe “Bekimi I. Gashi BI”, emri i saj është përdorur edhe nga laboratori “Emalab” në Lipjan.
Mira Avdimetaj
Laboratori biokimik-hematologjik “Emalab”, në pronësi të Edona Bytyqit, është ndëshkuar me një gjobë prej 6 mijë eurosh nga Inspektorati Shëndetësor, pas konstatimit të shkeljeve të rënda në mënyrën e lëshimit të analizave.
Në muajin maj të këtij viti, Inspektorati Shëndetësor ka kryer një inspektim në këtë laborator dhe ka konstatuar se analizat përpunohen dhe lëshohen pa prezencën e mjekes specialiste, e cila sipas të dhënave nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim figuron të jetë dr. Slavica Ristić – e ndjera që ka vdekur në vitin 2023.
Gazeta Insajderi ka raportuar ekskluzivisht se biokimistja serbe, emri i së cilës figuron si specialiste në laboratorin “Emalab”, ka ndërruar jetë dy vite më parë. Pavarësisht kësaj, emri i saj ka vazhduar të figurojë në dokumentet e laboratorit edhe pas vdekjes së saj.
Sipas vendimit të Inspektoratit Shëndetësor, të cilin Gazeta Insajderi e ka siguruar përmes një kërkese për qasje në dokumente zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, analizat që lëshohen nga laboratori “Emalab” nuk janë të nënshkruara dhe të vulosura nga ndonjë mjek specialist.
“Analizat lëshohen pa prezencën e doktorit, pa vulë, pa nënshkrim të mjekut, vetëm me numrin e kodit të licencës”, thuhet në vendim.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në adresë të laboratorit “Emalab”, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Emri i biokimistes së ndjerë është përdorur më parë edhe nga dy laboratorë të tjerë në Fushë Kosovë – “Dibuna Lab” dhe “Bekimi I. Gashi BI”, për të cilët Insajderi ka raportuar më herët se si kishin falsifikuar licencën e saj dhe kishin mashtruar qytetarët.
Raportimi i Gazetës Insajderi: