Policia e Kosovës është duke mbledhë prova për shpërthimin e djeshëm pranë Qendrës së Paraburgimit në veri të Mitrovicës.
Deri më tash janë intervistuar banorët përreth dhe ata të Qendrës së Paraburgimit.
Zv/drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka thënë për Insajderin se policia është në fazën e mbledhjes së provave.
“Deri më tash janë intervistuar banorët përreth dhe persona brenda Qendrës së Paraburgimit. Jemi duke kërkuar vendet nëpër qytet ku janë të vendosura kamerat, për të mbledhë prova”, ka thënë Hoti për Insajderin.
Për më tepër, dje pas mesnatës, pranë Qendrës së Paraburgimit në veri të Mitrovicës ka ndodhur një shpërthim me një granatë dore e tipit M75. Përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për të lënduar.