Pak ditë pasi Agjencia Kundër Korrupsionit doli me kërkesën që Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ të pezullojë procedurën ndaj Enver Hasanit për shkak se kryesuesi (tani ish-kryesuesi), Iset Morina, ishte në konflikt interesi, ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori i së drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, i është drejtuar me një letër personelit të Fakultetit Juridik.
Në letrën e titulluar “një rast i turpshëm për dinjitetin e Fakultetit Juridik’ Hasani shkruan se Morina Këshillin e Etikës e kishte shndërruar në një organ represiv që ndjek profesorë dhe studentë duke fshehur raste të vërteta dhe duke inicuar raste fiktive.
“Rastin fiktiv kundër meje, Iseti e kishte nisur me Avninë, me shpresën se do të më mbyllnin gojën. Në fakt, ata arritën efektin e kundërt! Unë jo vetëm që nuk kam kufizuar të drejtat e mia kushtetuese, por kam folur edhe më fuqishëm për nivelin e mjerueshëm në të cilin ka rënë Fakulteti Juridik dhe për joligjshmërinë e veprimeve, të mbështetura në premisa të theksuara të aktiviteteve kriminale të Isetit dhe Avniut. Avniune kam kuptuar disi, sepse ai e ka betejën ekzistenciale, për jetën apo vdekjen e tij akademike: një ditë, një ministër arsimi ose një rektor, siç duhet, do t’ia kërkojë disertacionin dhe doktoratën e “La Sapienza” dhe nuk do ta gjejë kurrë!”.
Më poshtë letra e plotë e Hasanit.
Të nderuar kolegë,
Bashkëngjitur gjeni opinionin e Agjencisë për Pengimin e Korrupsionit (AKP), me të cilin tregohet mjerimi njerëzor dhe intelektual i Iset Morinës, njeriut për ardhjen e të cilit në këtë fakultet jam vetë fajtor. Në fakt, kur e pata takuar për herë të parë në banhofën e qytetit të Vircburgut, në Gjermani, më 2 tetor 2001, më pati lënë përshtypjen e një njeriu të urtë dhe të sinqertë. Ka qenë fat i tij jetësor, sepse nga ai takim përfitoi, fillimisht në kohën e qeverisjes së Bajram Rexhepit, ku e futa në projektet e GIZ-it, dhe më pas në UP pasi u bëra rektor, duke ia hapur dyert e mundësive pafund për integrim në shoqërinë kosovare.
Kolegët e Isetit në Katedër më patën thënë se nuk ka as notë mesatare dhe as nuk i ka përfunduar studimet themelore në kohë, duke vonuar disa vite përtej afatit ligjor. Nuk u besoja, duke qenë i bindur se po bëja kthimin e njerëzve të rinj në Kosovë. Kisha qenë gabim: doli të jetë ashtu siç më patën thënë. Që nga ardhja e tij në UP, Iseti u shqua për angazhimin në çështjet e etikës, duke e bindur veten se ishte gardian i moralit publik. Ai e shndërroi Këshillin e Etikës (KE) në një organ represiv që persekuton studentë dhe profesorë të ndershëm, herë duke fshehur rastet e vërteta dhe herë duke iniciuar raste fiktive. Ju kujtohet mirë fshehja dhe zvarritja e rastit të ngacmimeve seksuale, ndërkohë që rastin fiktiv kundër meje, të ngritur nga mashtruesi tjetër, Avni Puka, e kreu për më pak se 27 ditë. Avniut po ashtu ia “pastroj” doktoratën e mbrojtur në Prishtinë, ndërsa atë në Itali ia bëri “të vlefshme” sikur të ishte NARIC-u vetë !
Ata që kanë pasur rastin të lexojnë propozimet e Këshillit të Etikës (KE), siç kam bërë unë kohët e fundit, e kuptojnë qartë se niveli i njohurive juridike të Isetit është ai i një juristi mesatar, i cili nuk arrin të dallojë qartë se çfarë është fakt dhe çfarë është argument. Mbi të gjitha, ai nuk di të përdorë silogjizmin juridik – një praktikë e hershme, e nisur nga Aristoteli dhe e mësuar nga të gjithë ne që në vitet e para të studimeve juridike. Kjo mungesë e theksuar e njohurive profesionale në sferën e përpilimit të mendimeve juridike, ku dallimi midis faktit dhe argumentit është thelbësor, është e kuptueshme duke pasur parasysh kohën e vonë të hyrjes së Isetit në qarqet akademike – pas moshës dyzetvjeçare. Mea culpa!
Kam diskutuar me kolegë të profesionit dhe u kam prezantuar dy nga vendimet e tij: njërin, kur ai ia “pastroi” diplomën Avniut, dhe tjetrin, kur mori vendim kundër meje duke treguar “mëshirë” dhe duke më këshilluar, nën tone kërcënuese, se çfarë duhet të them në publik (sic!). Kolegët kanë mbetur pa fjalë kur kanë parë strukturën e vendimeve të tij. Mea culpa!
Rastin fiktiv kundër meje, Iseti e kishte nisur me Avninë, me shpresën se do të më mbyllnin gojën. Në fakt, ata arritën efektin e kundërt! Unë jo vetëm që nuk kam kufizuar të drejtat e mia kushtetuese, por kam folur edhe më fuqishëm për nivelin e mjerueshëm në të cilin ka rënë Fakulteti Juridik dhe për joligjshmërinë e veprimeve, të mbështetura në premisa të theksuara të aktiviteteve kriminale të Isetit dhe Avniut. Avniun e kam kuptuar disi, sepse ai e ka betejën ekzistenciale, për jetën apo vdekjen e tij akademike: një ditë, një ministër arsimi ose një rektor, siç duhet, do t’ia kërkojë disertacionin dhe doktoratën e “La Sapienza” dhe nuk do ta gjejë kurrë! Siç e dini, kam prova të shkruara, por edhe nga vizita ime personale në Fakultetin Juridik të “La Sapienza”, ku më vërtetuan katërcipërisht se Avniu nuk ka realizuar doktoratën dhe nuk ka mbrojtur disertacionin, siç na ka gënjyer. Për më tepër, ai ka përdorur një diplomë fiktive për avancimin e tij në thirrjen e fundit. Jam i bindur se shumë shpejt organet e ndjekjes do të zbardhin të vërtetën e këtij rasti, të cilin e kam denoncuar me prova në prokurorinë kompetente, së bashku me kallëzimin penal kundër Isetit për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Ne që kemi mbetur si më të moshuarit në Fakultetin Juridik, mbajmë mend mirë këtë institucion që ka shkëlqyer në ish-Jugosllavi dhe ka qenë pikë referimi në debatet për dinjitetin tonë kombëtar dhe identitetin e ri politik, gjatë viteve e dekadave. Tani ndihem i turpëruar kur shoh kush qëndron në krye të këtij institucioni: një mashtrues ordiner dhe një profesor si Iseti që vendos për vetveten, me qëllim të dëmtimit të të tjerëve, përkatësisht atij që e ka sjellë në UP, kundër çdo kriteri ligjor të kohës dhe të sotëm. Pa asnjë ditë përvoje pune, pas moshës dyzetvjeçare, me nota mizérie mesatare dhe me studime themelore jashtë afatit ligjor, Iseti, falë ndërhyrjes sime, u bë profesor universiteti – diçka që as në ëndrrat e tij më të largëta nuk e kishte imagjinuar.
Thellësia e padijes së tij juridike u shfaq qartë me dëshminë e dhënë pranë APK-së, ku Iseti, në mënyrë të turpshme, arsyeton vendimin e tij kundër meje. Ky arsyetim është i papranueshëm jo vetëm për një individ që pretendon të jetë profesor i së drejtës, por edhe për një student të vitit të parë – aq më tepër kur bëhet fjalë për dikë që ligjëron një lëndë komplekse si Procedura Civile.
Kërkoj ndjesë ndaj atyre prej jush që mund të mos jeni në dijeni të situatës ose që keni qenë në rrjedhë dhe ndiheni të shqetësuar.
Kërkoj ndjesë nga disa prej jush që mund të mos jeni në rrjedhë, ose keni qenë dhe ndiheni keq. Njëkohësisht, ju falënderoj shumë të gjithëve që keni qenë pranë meje gjatë gjithë kohës së sëmundjes sime, me mua dhe familjen time, duke treguar fisnikëri njerëzore dhe integritet të lartë moral e profesional.
I juaj,
Enveri