
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxaj i ka thurur lavde Sokol Bashotës, i cili akuzohet për fshehje të pasurisë, banesë e veturë të tipit BMW X5, shkruan Insajderi.
Sokol Bashota ka vite që është në një proces gjyqësorë.
Hoxhaj, sot ka pasur një takim me struktura e PDK-së në Klinë. Përmes një shkrimi në Facebook, kandidati i PDK për kryeministër është shprehur se “Së shpejti, bashkë me ta dhe kryetarin Sokol Bashota, do ta fuqizojmë e rikthejmë PDK-në në Klinë!.
Ndonëse Hoxhaj nuk e ka kursyer Bashotën nga “fjalët miradije”, ish-kryetari i Klinës nga radhët e PDK-së pritet të gjykohet me 21 janar me akuzën për mosdeklarim të pasurisë.
Pak ditë pasi ishte zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Klinë, ish-kryetari i kësaj komune, Sokol Bashota ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 1,000 euro gjobë, për mos raportim të pasurisë.
Ai akuzohet se prej vitit 2012, deri 2015, nuk kishte deklaruar banesën 79 metra katrorë në Prishtinë, makinat “Jeep” dhe “BMW X5” në vlerë 65 mijë euro, si dhe qiranë për banesë në shumë prej 3000 euro, në vit.
“Sipas regjistrimit për deklarimin e pasurisë për të akuzuarin Sokol Bashota të datës 25 mars 2013, vërtetohet se i akuzuari si pasuri të paluajtshme nuk e ka paraqitë banesën që e ka poseduar në Prishtinë. Gjithashtu nga regjistrat për deklarimin e pasurisë të datës 11 mars 2014 deri më 27 mars 2015, edhe pse sikur që u prova se në vitin 2014 i akuzuari e ka blerë veturën dhe nuk e ka paraqitë si pronë veturën ‘BMW X5’’ e as banesën në Prishtinë”, thuhet në pjesën arsyetuese të aktgjykimit.
Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë ka caktuar datën 20 janar për mbajtjen e seancës gjyqësore ndaj ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetarit Enver Berisha, të akuzuar për mosdeklarim të pasurisë./Insajderi.org