Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan e krahasoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu me Hitlerin, për sulmin e ashpër që po kryen ushtria e vendit të tij në Rripin e Gazës.
“Po bën Netanjahu ndonjë gjë ndryshe nga Hitleri? Jo. Madje, ky ka mbështetje nga perëndimi. Të gjitha llojet e ndihmave i vijnë nga Amerika. Dhe me gjithë këtë mbështetje ç’bënë me 20 mijë gazanë? I vranë“, ka deklaruar Erdogan.
Erdogan tha se qasja e Netanjahut ndaj banorëve të Rripit të Gazës është e njejtë me mënyrën si Hitleri i persekutoi hebrenjtë.
Sipas tij, as Gjermania nuk mund të kritikojë veprimet e Izraelit, pasi ende mban mbi supe barrën e krimeve të Hitlerit.
Presidenti turk e krahasoi edhe më herët Netanjahun me një tjetër figurë famëkeqe si Sllobodan Millosheviçi, i akuzuar për krime lufte në ish-Jugosllavi.
Erdogan mbështet Hamasin dhe e konsideron atë si organizatë që synon çlirimin e territoreve të pushtuara palestineze.