Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha në Stamboll se pozita e Arabisë Saudite në lidhje me krizën e Gjirit është çelësi i zgjidhjes për të shtuar se shpreson që ky problem të zgjidhet para festës së Bajramit.
“Arabia Saudite ka një pozicion kyç për krizën e Gjirit. Ministri ynë i Jashtëm vizitoi dje Arabinë Saudite ku u takua me mbretin Abdulaziz. Ne çuam përshëndetjet tona dhe besoj se në cilësi të mbretit saudit, ai ka fuqinë që për një kohë shumë të shpejtë të zgjidh këtë problem. Dëshira jonë është që kjo çështje të zgjidhet para Bajramit”, tha Erdogan.
Ai shtoi më tej se botës islame nuk i përshtaten këto mosmarrëveshje, dhe se myslimanët e kanë patjetër që këto dhe probleme të ngjashme ti zgjidhin përmes dialogut të ndërsjellë.
Erdogan theksoi kundërshtimin e Turqisë për faktin se mbi miqtë e tyre nga Katari është bërë një padrejtësi, raporton AA.
“Në rajon kemi marrëdhënie shumë të forta me të gjitha vendet, veçanërisht me Arabinë Saudite. Jemi të përkushtuar që në periudhën e ardhshme të thellojmë dhe avancojmë marrëdhëniet. Sipërmarrësit nga Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit, të cilat investojnë në vendin tonë, nuk kanë nevojë të shqetësohen”, tha presidenti turk Erdogan.