Erling Haaland ka bërë shaka me shokët e tij të Manchester City, derisa ka bërë se kinse është lënduar gjatë stërvitjeve me ekipin e tij.
Sulmuesi i jashtëzakonshëm norvegjez po përgatitet për një tjetër paraqitje në Ligën e Kampionëve. Kampionët e Premier League do të udhëtojnë në Portugali, ku do të përballen me Sportingun – që për momentin është ende nën drejtimin e trajnerit Ruben Amorim, i cili do të marrë drejtimin e Manchester United.
Haaland ka shënuar në paraqitjet e fundit europiane të City-t, kundër Sparta Pragës dhe Slovan Bratislavës, por nuk arriti të shënojë në paraqitjen e fundit në kampionat, ndërsa skuadra e Pep Guardiolës u mund befasisht nga Bournemouth. Një përgjigje pozitive ndaj këtij rezultati kërkohet të martën.
Guardiola dëshiron të ketë Haalandin në krye të sulmit në Lisbonë, me sulmuesin 24-vjeçar që është vendimtar për planet e tij – pasi ka shënuar 14 gola këtë sezon në po aq paraqitje. Ai i dha stafit stërvitor të City-t një moment të shkurtër shqetësimi gjatë një seance stërvitore të hënën, kur ra në tokë duke mbajtur këmbën e djathtë dhe bëri një rrotullim teatral në bar.
Shokët e tij të ekipit nuk dukeshin shumë të shqetësuar, pasi sulmuesi i fuqishëm u kthye shpejt në këmbë. Kjo është një lajm i mirë për Guardiolën, i cili ka parë City-n të humbasë 2-1 në secilën nga dy ndeshjet e fundit – kundër Tottenhamit në Carabao Cup dhe Bournemouth në Premier League.