Ky edicion i Festivalit të Sanremos kurorëzoi talentin e kantautorit Ermal Meta, i lindur në Fier dhe me banim në Bari që në moshën 13-vjeçare.
Megjithëse nuk fitoi çmimin e parë, por u radhit i treti, ai ishte protagonisti i këtij viti. Pas fitores në mbrëmjen e “cover”-ave, me një riinterpretim drithërues të një kënge të Domenico Modugnos, ai u vlerësua me çmimin e kritikës në mbrëmjen finale.
Ndër 135 kritikët e gazetarët e specializuar, 37 votuan për Ermal Metën dhe këngën e tij “Vietato Morire” (E ndaluar të vdesësh), një himn kundër dhunës në familje e një shtytje për mosbindje në këto raste.
Pas këtij suksesi, karriera e Ermal Metës, i cili ka filluar si kitarist në grupin “Ameba”, e më pas udhëheqës i “La Fame di Camilla”, do të ecë më siguri me shpejtësi më të madhe.
Ai është gjithnjë e më i kërkuar jo vetëm si solist, por edhe si kompozitor, për këngëtarë të tjerë të njohur. E në këtë “Sanremo” la pas disa prej emrave historikë të muzikës së lehtë italiane.