
Përveç kësaj, Mehmeti tregon se pas këtij “skandali”, ajo ka marrë shumë kërcënime, madje edhe nga vetë shqiptarët.
“Unë kam marrë 3 kërcënime, për fat të keq edhe nga shqiptarë, që tregon se krimi tejkalon barrierat etnike. Kam mësuar se është detyrë e imja që të ngrihem dhe të vazhdoj jetën dhe veprimtarinë time politike. Ua kam borxh votuesve të mi dhe familjes sime”, tha Ermira Mehmeti në emisionin “Exlusive” të televizionit TCH.
Ende sot, organet e hetimit në Maqedoni nuk kanë një përgjigje përfundimtare mbi autenticitetin e materialit të publikuar, por Mehmeti shprehet e bindur se biseda e lëshuar në medie, është e montuar.
“Unë kam bërë disa ekspertiza private lidhur me atë lloj përgjimi. Këto analiza kanë treguar se bëhet fjalë për një montim zërash. Janë ngjitur disa përgjime dhe është futur mes tyre edhe zëri im për t’i dhënë më shumë besueshmëri. Mendoj se është taktikë ose skenar që është përdorur historikisht në ish-Jugosllavi, kur duhej diskretituar një person publik”, tregon deputetja.
Ajo thotë se i tëri ky inskenim është bërë me qëllim goditjen e një femre të fuqishme në politikën maqedonase. /Insajderi.com