Sopranoja e mirënjohur shqiptare Ermonela Jaho do të paraqitet para publikut francez në kuadër të Operës Nacionale të Parisit, në operën “Les Contes D’Hoffmann” të Jacques Offenbach, bazuar në libretin e Jules Barbier. Në këtë operë Jaho vjen në rolin e Antonias.
Siç bëhet e ditur, “Les Contes D’Hoffmann” do ta ketë premierën më 3 nëntor, për të vazhduar pastaj me tetë repriza të tjera.
Opera e vitit 1881 përmban një prolog, tri akte dhe një epilog. Ajo vjen me regji të Robert Carsen, ndërsa do të shoqërohet nga Orkestra e Korit të Operës Kombëtare të Parisit, nën dirigjimin e Philippe Jordan.
Në rolet kryesore në këtë shfaqje operistike do të luajnë Ramón Vargas dhe Stefano Secco që interpretojnë karakterin e Hoffmann dhe Yann Beuron, ndërsa në rolet e tjera paraqiten edhe Nadine Koutcher, Kate Aldrich, Stéphanie d’Oustrac.
Rikujtojmë se sopranoja Ermonela Jaho është shpallur fituese e International Opera Awards, njërit nga çmimet më prestigjioze të muzikës klasike.
Jaho ishte në garë me emra të tillë si Danielle De Niese, Joyce Di Donato, Michael Fabiano, Gerald Finley, Juan Diego Flórez, Dmitri Hvorostovsky dhe Eva-Maria Ëestbroek.
International Opera Awards u themelua në 2012 me qëllimi që të rrisë profilin e operës si një formë arti si dhe të krijojë mundësi për bursa për talentet e reja.
Revista e njohur “Oper! das Magazin” në ballinën e numrit të saj për muajin prill ka sopranon e famshme shqiptare, Ermonela Jaho, të cilën e cilëson si artiste me talent të madh.
Në anën tjetër, edhe prestigjiozja “The Economist” ka shkruar për Ermonela Jahon që është sot padyshim një nga sopranot më të respektuara në botë, shkruan Zëri.
“Arti i mbijeton edhe diktaturës. Pra, nuk është çudi që sopranoja që në fillim të këtij muaji rrëmbeu çmimin vjetor të këngëtarit më të vlerësuar nga lexuesit e Opera Magazine, ka lindur dhe është rritur në Shqipërinë e Enver Hoxhës”, shkruhej ndër të tjera në artikullin e “The Economist”, pasi Jaho u shpall fituese e International Opera Awards.