Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përgjatë së mërkurës pritet të zhvillojë takim të përbashkët me liderët opozitarë nga ora 19:00.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka konfirmuar për Gazetën Insajderi se kreu i partisë, Ramush Haradinaj, do të jetë në takim.
“E mirëpresim angazhimin e ShBA-së për finalizimin e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përmbyllet me njohje reciproke. Angazhimi i emisarit Escobar është kyç dhe e falënderojmë për gatishmërinë e tij për ta ndihmuar Kosovën në synimet e saj. Kryetari Haradinaj me kënaqësi ka pranuar ftesën për takim sot në ora 19:00”, ka deklaruar ai për Insajderin.
Në takim është raportuar se ka konfirmuar pjesëmarrjen edhe kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi.
Escobar sot ka zhvilluar takimin e parë me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin. /Insajderi.org/