
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndodhet në Bruksel dhe do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, përcjell Insajderi.
Sipas këtyre burimeve, takimet do të zhvillohen në prag të bisedimeve të liderëve, të cilat duhet të nisin në selinë e Bashkimit Evropian gjatë ditës së 27 shkurtit.
Është takimi më i rëndësishëm në dhjetë vitet e fundit, pasi që pritshmëritë janë që kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë të pranojnë të ashtuquajturin “propozim evropian për marrëveshje bazë”.
Kjo do të ishte marrëveshja e dytë mes palëve në dialogun e nisur në vitin 2011.
Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia ranë dakord për Marrëveshjen e Brukselit. Propozimi evropian në pritje të konfirmimit nga liderët konsiderohet si dokumenti më i rëndësishëm deri më tani, i cili duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano nënvizoi se nga liderët pritet sjellja evropiane dhe pranimi i propozimit.
“Progresi dhe rezultatet e dialogut varen nga vullneti i dy palëve për të bërë kompromisin e nevojshëm. Motivimi është i qartë: ne kemi thënë vazhdimisht se e ardhmja evropiane e Kosovës dhe Serbisë varet nga përparimi në dialog”, tha Stano.
Pranimi i këtij plani, sipas zëdhënëses së Brukselit, do të çonte në qëllimin përfundimtar, pra një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.