Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar arrestimin e tre zyrtarëve të ministrisë që ai e drejton, nën dyshimin për pranim ryshfeti dhe keqpërdorim me tenderë.
Sveçla, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se bashkë me ta, PK-ja ka arrestuar edhe një pronar të një kompanie ndërtimi dhe një punëtor të saj.
“Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar sot aksion në Ministrinë e Punëve Brendshme, saktësisht në Departamentin e Prokurimit. Me këtë rast, janë arrestuar tre zyrtarë të Ministrisë si dhe pronari së bashku me një punëtor të një kompanie ndërtimi, katër prej të cilëve sipas njoftimit zyrtar të Policisë janë ndaluar për 48 orë”, ka njoftuar Sveçla.
“Si Qeveri dhe si Ministri, që nga marrja e mandatit jemi zotuar për luftë të pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit e në veçanti ndaj këtyre fenomeneve të rrënjosura me vite të tëra brenda institucioneve tona. Kemi ofruar dhe dhënë mbështetjen e plotë ndaj organeve të rendit dhe kemi adresuar çdo keqpërdorim që kemi evidentuar që nga marrja e detyrës”, thotë ndër të tjera ai. /Insajderi.org/