Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka sulmuar ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, pas sanksioneve të SHBA-së drejt Kosovës, gjegjësisht përjashtimit nga stërvitja ushtarake “Defender 23”.
Haradinaj, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se Kurti e Osmani përbrenda më pak se tri vitesh, e kanë kthyer Kosovën dhjetë vite mbrapsht. Kësisoj, ai ka kërkuar dorëheqjen e kryeministri, shkruan Gazeta Insajderi.
“Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë here”, ka deklaruar ai.
“Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot”, vijon kreu i AAK-së.
“Populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Është i vogël Albin Kurti t’ia nderrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj”, ka deklaruar ai. /Insajderi.org/