Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona sot në Ferizaj. Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi dyshohet se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me avokaten e të dyshuarit, Bedri Shabani.
“Deri tash krejt çka mund të them është që i mbrojturi im është mbrojtur në heshtje gjatë intervistimit në polici”, ka thënë për Insajderin Arbnora Shefkiu, avokate e Shabanit.
Shabani dhe Qerimi janë arrestuar sot në një aksion të Drejtorisë për Krime të Rënda të Policisë së Kosovës.
Insajderi ka mësuar se dy të dyshuarit kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe në Kosovë.
Aksioni i Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës është duke vazhduar ende me bastisjen e pronave të dy të dyshuarve.
Njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.
Me Aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, të arrestuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë.