Sulmuesit, të cilët kanë pasur cak njerëzit në Urën e Londrës fundjavën e kaluar, deklaruan që po vepronin ashtu në emër të Islamit.
Sidoqoftë, ky pretendim nga ana e tyre ka nxitur zemërim ndër shumë myslimanë. Në një deklaratë të fuqishme të hënën, liderët religjiozë kanë përshkruar “veprat e paarsyetueshme” të terroristëve si “tërësisht jashtë mësimeve islame”.
Ata shtuan se duke kryer sulme, sidomos gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, demonstrohet “se si terroristët janë tërësisht të devijuar dhe të largët nga besimi ynë dhe përbuzjen që ata zotërojnë për vlerat e tij”, shkruan BBC news.
Si një tjetër përbuzje ndaj terroristëve, nënshkruesit thanë se ata “nuk do të kryenin lutjen e funeralit tradicional Islamik për kriminelët” dhe bënë thirrje që edhe të tjerët të ndiqnin shembullin e tyre.
Për të kuptuar se pse kjo është e rëndësishme, është qenësore të dihet rëndësia e lutjeve të funeraleve – të njohura si janaza (xhenaze) – për myslimanët.
Qëllimi i tyre është të kërkohet të falet personi i vdekur. Funeralet myslimane zakonisht kanë një qasje të “shtëpisë së hapur” ku gjithkush mund t’i bashkohet shërbimit, edhe nëse nuk kanë njohur të vdekurin dhe nuk është e pazakontë të shohësh shumë njerëz të mbledhur.
“Sa më shumë njerëz që ka, më përfituese është për personin e vdekur pasi që do të ketë më shumë njerëz të cilët luten për shpirtin e tij”, thotë Dr. Asim Yusuf, një akademik islam dhe psikiatër i cili ka nënshkruar deklaratën e së hënës.
“Duke mos e bërë këtë, ti në mënyrë efektive ua kthen shpinën. Është sikur të thuash nuk do të lutem për faljen e atij personi, e kjo është një gjë e tmerrshme për tu bërë”, thotë ai.
Ahmed Patel, thirrës kundër ekstremizmit në kampanja, ka zgjedhur për të mos shkuar në funeralin e kunatit të tij Mohammed Sidique Khan, njërit nga katër sulmuesit vetëvrasës në bombartimin në Londër në vitin 2005.
“Nuk kam shkuar në varrimin e tij. Unë as nuk e di ku është varrosur dhe as nuk më intereson”, ka thënë ai.
Ai mendon se duke ua mohuar terroristëve ritet e funeralit mund të ketë efekt t’u mbushet mendja sulmuesve potencialë të mos kryejnë sulmet.
“Unë mendoj që fakti që ata thonë që nuk do të të varrosim, e as nuk do ta bëjmë xhenazen tënde, është shumë më e fuqishme se sa të dalësh jashtë me postera dhe mbajtjes së manifestimeve të heshtura”, ka thënë Patel.
Nuk është hera e parë që liderët myslimanë kanë refuzuar të varrosin një terrorist – disa xhami në SHBA raportohet të kenë thënë që nuk do të bëjnë funeralin e njërit prej sulmuesve të maratonës së Bostonit në vitin 2013.
Megjithatë, mbetjet e Shehzat Tanweer – njërit prej bombarduesve, i ishin dhënë një varrim islamik afër vendlindjes së tij në Pakistan.
Terroristët Islamikë shpesh përdorin një sure në Kuran, e cila njihet si surja e shpatës, si justifikim i të bëmave të tyre.
Kjo sure thotë “vrit paganët sa herë që i gjen dhe kapi ata dhe rrethoji… por nëse ata pendohen […] lëri të largohen”.
Dr Yusuf thotë që kjo i referohet një incidenti gjatë kohës së Profetit Muhamed ku ushtrisë myslimane “i ishte dhënë leja për të sulmuar fiset pagane të cilët kishin thyer një marrëveshje, duke pasuar me një pushim katër-mujor për të rinegociuar”.
Ai thotë që surja shpesh keqkuptohet nga konteksti, dhe shton se edhe nëse ndodh lufta nuk duhet të vriten të pafajshmit sipas kodit të luftës.
“Mund të luftosh vetëm me ata njerëz që dalin në luftë kundër teje, jo me kalimtarët e rastit apo shikuesit”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se fakti që sulmuesit e Londrës kanë thënë se po veprojnë në emër të Islamit “ishte krim kundrejt vetë religjionit dhe i sjell religjionit emër të keq”. /Insajderi.com