Banorët e lagjes “Holger Petersen” në Prishtinë, kanë mbetur të bllokuar që pesë javë, pasi është shembur rruga. Kjo ndodhi si shkak i punimeve nga një kompani ndërtimi qe sipas banorëve ka gërmuar në 10 metra thellësi. Nga Komuna e Prishtinës, thanë se pikërisht për shkak të këtyre dëmeve punimet janë ndaluar dhe janë marrë masa. Por, gjendja atje pavarësisht kësaj, edhe sot vazhdon të jetë jo e mirë.
Një qytetar i cili banon në lagjen “Holger Petersen”, tha për Gazetën Insajderi se janë 20 shtëpi që janë prekur nga këto punime.
Ai u shpreh se përveç që kanë mbetur të bllokuar, janë edhe pa ujë.
“Rruga Holger Petersen ku ka qasje rrugica Afërdita Ukshini e cila ka mbet e bllokuar e së bashku në te edhe 20 shtëpi qe 5 javë vijn komunart e bajn hajgare me ne tash kemi mbet në mëshirën e Zotit, ka elemente korruptive krejt këta e ka shkaktu një kompani ndërtimi e banesave kolektive ka gërmu 10 metra thellë tash u mbet rruga e shembur na jemi mbetur të bllokuar pa ujë pa kanalizim pa dalje askund“, tha ai.
Gazeta Insajderi, ka kontaktuar edhe me Komunën e Prishtinës, të cilët thanë se janë ndërprerë punimet në këto rrugë dhe janë ndërmarrë masa.
“Kryetari i Kryeqytetit, Perparim Rama, ka vizituar zonën e prekur nga një kompani e papërgjegjshme, e cila kishte shkaktuar dëme në rrugët “Afërdita Ukshini” dhe Holger Petersen, në lagjen “Veternik”, për shkak të mos përmbushjes së standardeve të punës. Aktivitetet e kësaj kompanie janë ndaluar dhe janë ndërmarrë masa për të parandaluar përkeqësimin e situatës“, thuhet në përgjigje.
Tutje, sipas Komunës është urdhëruar kompania që të riparojë dëmet dhe të eliminojë rrezikun.
“Në përputhje me urdhrin e kryetarit, Inspektorati i Kryeqytetit dhe Drejtoria e Emergjencave kanë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të nevojshme, duke urdhëruar palën përgjegjëse të riparojë dëmet dhe të eliminojë rrezikun. Pala ka marrë masa për të evituar rrezikun, dhe inspektorati vazhdon të monitorojë punët deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit“, tha Komuna.
Por, që edhe pas kësaj gjendja atje po vazhdon të jetë jo e mirë.
Nga fotot e dërguara që janë realizuar sot shihet se banorët janë ende të rrezikuar.
Sipas tyre në mbrëmje rruga po rregullohet dhe natën po shembet.