Estonia aktivizon nenin 4 të NATO-s pas shkeljes së hapësirës ajrore nga Rusia? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Estonia aktivizon nenin 4 të NATO-s pas shkeljes së hapësirës ajrore nga Rusia?

    Insajderi
    20 September 2025 - 09:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia, zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, tha se Këshilli i Atlantikut të Veriut do të mblidhet në fillim të javës së ardhshme për të diskutuar më në detaje incidentin, gjë që përbën aktivizimin e nenit 4.

    Estonia më herët kishte kërkuar zyrtarisht konsultime sipas nenit 4 të Traktatit të Uashingtonit.

    Procedura përcakton se “palët do të konsultohen së bashku sa herë që, sipas mendimit të ndonjë prej tyre, cenohet integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e ndonjë pale”.

    Hera e fundit që ky nen u aktivizua ishte nga Polonia në fillim të këtij muaji, pas hyrjes së dronëve rusë në hapësirën e saj ajrore, ndërsa më parë ishte përdorur nga një grup shtetesh në vitin 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës, raportojnë mediat.

    Kjo, siç u tha, është një sinjal i qartë se Estonia e sheh incidentin si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e saj, si dhe një tregues të shqetësimit rajonal në rritje për qëndrimin gjithnjë e më agresiv dhe provokimet e Rusisë.

    Major Taavi Karotamm, zëdhënës i forcave të mbrojtjes së Estonisë, i tha agjencisë AP se aeroplanët rusë fluturuan paralel me kufirin lindje-perëndim të Estonisë dhe nuk u drejtuan drejt kryeqytetit, Talin.

    Karotamm tha se arsyeja e shkeljes së kufirit mbetet e panjohur, por shtoi se mund të jetë bërë për të “zhvendosur fokusin e NATO-s dhe të vendeve anëtare drejt mbrojtjes së vetvetes, në vend që të përforcojnë mbrojtjen e Ukrainës”.

    Moska ende nuk ka komentuar mbi incidentin, por agjencia reuters ka marrë një deklaratë nga ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasiliy Nebenzya, i cili tha se nuk është në dijeni për incidentin, por shtoi se “nuk i besoj asaj që thotë Estonia për Rusinë”.

    Kur u informua për akuzën e Estonisë se Rusia ka hyrë me avionë në hapësirën e saj ajrore, Nebenzya tha “sa tragjike”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark