Në një komunikatë për media përmes së cilës EULEX shpreh mbështetje për Ministrinë e Drejtësisë “për rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në shërbimet korrektuese”, thuhet se ky mision ka monitoruar këtë rast dhe se iu beson të gjeturave të autoriteteve.
“Si pjesë e mandatit të tij, EULEX-i e monitoroi këtë rast dhe beson se hetimet dhe autopsia janë kryer në mënyrë të saktë, profesionale dhe me kujdes, në pajtim me praktikat më të mira evropiane dhe duke i hetuar të gjitha pistat e mundshme. Tri agjencitë përkatëse që kanë qenë të përfshira vazhdojnë t’i përmbushin obligimet ashtu siç pritet nga to. Nga rastet si ky gjithmonë nxirren mësime, ndërsa elementi më i rëndësishëm drejt përmirësimit është vënia në jetë e këtyre mësimeve”, thuhet në komunikatën për media.
“Ndonëse rrethanat janë të jashtëzakonshme, institucionet e Kosovës kanë zbuluar se Astriti ka qenë i vetëm në qeli në kohën kur ka ndodhur rasti. Këtë e konfirmojnë incizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm. EULEX-i i mbështetë të gjeturat dhe konstatimin logjik të nxjerrë prej fakteve dhe provave të gjetura gjatë hetimeve dhe autopsisë”, thuhet tutje në komunikatë.
Por, EULEX nënvizon se Shërbimi Korrektues i Kosovës duhet të bëjë më shumë për të parandaluar incidentet si ky në të ardhmën.
“Megjithatë, gjithçka që lidhet me vdekjen e Astrit Deharit duhet të shërbejë për të rikujtuar se megjithëse Shërbimi Korrektues i Kosovës është duke u përpjekur që të bëjë përmirësime, duhet të bëhet edhe më shumë në të ardhmen për t’i parandaluar incidentet si ky dhe humbje të jetëve tjera”, thuhet në komunikatë.
“EULEX-i e përshëndetë theksin e veçantë dhe përmirësimet e iniciuara nga Ministrja e Drejtësisë me qëllim të ngritjes së llogaridhënies dhe transparencës në kuadër të sistemit të sundimit të ligjit. EULEX-i është i gatshëm që ta ndihmojë Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet tjera të sundimit të ligjit që të ecin tutje në këtë drejtim.”
Më 18 nëntor, Komisioni mjekësor që ka përgatitur raportin e obduksionit për vdekjen e Astrit Deharit ka konstatuar se ai ka bërë vetëvrasje.
Në raport thuhet se “vdekja e tani të ndjerit Astrit Dehari ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga mbyllja (bllokimi) i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti me konsistencë valide (të fortë)” dhe se kjo është vetëshkaktuar nga tashmë i ndjeri.
I ndjeri Dehari ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ishte arrestuar më 30 gusht të këtij viti nën dyshimin se së bashku me aktivistë të tjerë të kësaj partie kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës me armë. Ai vdiq më 5 nëntor.
Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi që nga koha kur u dha lajmi për vdekjen e tij ka hedhur dyshime për rrethanat që kanë shkaktuar vdekjen.
Por, edhe pas daljes së raportit të autopsisë, kjo parti dhe aktivistë të shoqërisë civile nuk janë bindur me të gjeturat ndërsa janë organizuar një numër protestash me moton “Drejtësi për Astritin”./Insajderi.com