Misioni i EULEX-it në Kosovë vazhdon të jetë pa mandat edhe pse deputetët e Kuvendit të Kosovës ratifikuan marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Evropian javën e kaluar.
Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, një marrëveshje ndërkombëtare bëhet fuqiplotë vetëm atëherë kur publikohet në Gazetën Zyrtare, gjë që në këtë rast nuk ka ndodhur ende.
Për pasojë, EULEX është detyruar që të shtyjë për një ditë tjetër mbajtjen e seancave ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, dhe seancën tjetër kundër ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj.
“Ligji është miratuar nga Kuvendi, por pret dekretimin e Presidentit dhe publikimin në Gazetën Zyrtare. Prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX-it ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi në Kosovë. Prandaj, si masë parandaluese për t’i garantuar të drejtat e palëve, procedurat gjyqësore janë shtyrë ashtu që të mos ketë ndikim në të drejtat e njeriut të personave të involvuar”, ka thënë Besa Domi, zëdhënëse e EULEX-it.
Në anën tjetër, Presidenca e Kosovës nuk ka treguar arsyet e vonesës së publikimit të marrëveshjes në Gazetën Zyrtare dhe nuk kanë treguar se kur kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi.
Ditë më parë, EULEX u detyra të shtyjë mbajtjen e një seance ndaj Sylës meqë misioni nuk kishte mandat.
Albana Rexha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i ka thënë Insajderit se në kohën kur marrëveshja ende nuk është bërë publike në Gazetën Zyrtare, EULEX-i “nuk mund të ushtroj aktivisht mandatin”.
Në fund të javës së kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës ratifikuan marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Evropian, për të zgjatur jetën e këtij misioni deri në qershor të vitit 2018.
Duke ftuar deputetët që të votojnë, kryeministri Isa Mustafa tha se misioni i EULEX-it do ta ndihmojë Kosovën në luftën e vet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./Insajderi.com