Misioni EULEX ka bërë të ditur se më 18 qershor 2024, ekspertët mjeko-ligjorë të EULEX-it iu bashkuan përfaqësuesve të Institutit të Mjekësisë Ligjore në pikën e përbashkët të kalimit Merdare për dorëzimin e eshtrave të tre personave, të identifikuar së fundmi.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se eshtrat e njërit prej tyre, person i zhdukur, iu dorëzuan familjes, ndërsa eshtrat e dy të tjerëve iu dorëzuan autoriteteve serbe, të cilët i morën në emër të familjeve.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur homologët tanë vendorë në IFM dhe institucionet e tjera relevante të Kosovës duke ofruar ekspertizë mjekoligjore dhe këshilla në kryerjen e punës komplekse të identifikimit të të gjitha mbetjeve njerëzore në morgun e IFM-së, në mënyrë që anëtarët e familjes të realizojnë të drejtën e tyre për të ditur të vërtetën”, thuhet në reagimin e EULEX.