EULEX: Nuk ndërhyjmë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    EULEX: Nuk ndërhyjmë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese

    Insajderi
    03 November 2016 - 14:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas njoftimit se Gjykata Supreme ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e Ligjit për Trepçën, pasi një gjyqtarë ndërkombëtarë pretendon se ai është antikushtetues, EULEX ka sqaruar kërkesën e këtij gjyqtari.

    Përmes një përgjigje për Insajderin,  zyrtarja për Informim në EULEX Besa Domi, tha se ky mision nuk ndërhynë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por siç thotë ajo gjyqtari ndërkombëtarë ka kërkuar më shumë sqarime, deri sa të publikohet i plotë vendimi.

    “Kjo kërkesë e këtij gjyqtari ka të bëjë me një rast të caktuar për të cilin pritet të nxirret vendimi gjyqësor në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, i cili i ishte deleguar gjyqtarit në fjalë”, tha Domi.

    Sipas Domit, gjyqtari ndërkombëtar ka vepruar në kuadër të autorizimeve ligjore të tij të përcaktuara në Kushtetutë dhe se kërkesa e tij nuk ka lidhje me kërkesat e mëhershme të Listës Serbe për kushtetutshmërinë e Ligjit për Trepçën.

    “EULEX-i thekson se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti gjyqësor më i lartë për të vendosur lidhur me çështjet kushtetuese, është jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha Domi për Insajderin.

    Gjatë ditës Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme njoftoi se i është drejtuar Kushtetueses me një kërkesë pasi që një gjyqtarë i EULEX-it, duke mbrojtur kërkesat e paditësit të ndërmarrjes Trepça, ka arritur në përfundim se ligji është antikushtetues për dy arsye, që sipas tij janë të bazuara në të drejtën që e garanton pronën.

    Ai pretendonte se ligji ka efektin e një shpronësimi pa kompensim në dëm të paditësit dhe se shpronësimi i pjesshëm kryhet në dobi të personave privat pa ndonjë arsyetim.

    Menjëherë reagoi edhe Qeveria e Kosovës, duke thënë se ky ligj nuk mund të kontestohet për nga ana Kushtetuese nga ndonjë gjyqtar Dhomës së Posaçme. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark