EULEX reagon rreth deklaratave të Ministrit Kuçi për rastin e Sami Lushtakut - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    EULEX reagon rreth deklaratave të Ministrit Kuçi për rastin e Sami Lushtakut

    Insajderi
    17 March 2016 - 16:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Misioni i EULEX-it në Kosovë ka reaguar sot rreth deklaratës së ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të bind me prova konkrete opinionin publik se vendimi për dënimin e Sami Lushtakut është i drejtë.

    Këto komente Kuçi i ka bërë mbrëmë një intervistë televizive, ku ndër tjerash ka shtuar se “për aq sa kam lexu nëpër gazeta, po e them si jurist jo si ministër i drejtësisë, bukur absurd është ai rast”

    “Nuk ka kurrkund në botë, që mund të ketë vrasje pa u identifikuar personi dhe pa u konstatuar që ka ndodhur nga ai”, ka thënë Kuçi.

    Komentet e Kuçit nuk i kanë pëlqyer zyrtarëve të EULEX-it, të cilët kanë thënë se Kuçi e ka vënë në pyetje vendimin e gjykatës.

    “Mbrëmë, në një intervistë televizive, Ministri i Drejtësisë ka dhënë mendimin e tij lidhur me meritat e një rasti penal të profilit të lartë në Gjykatën e Apelit dhe e ka vënë në pyetje vendimin të cilin e kanë marrë gjyqtarët në Gjykatën Themelore në Prishtinë. EULEX-i thekson se deklaratat e tilla mund të perceptohen si frikësim dhe ndërhyrje politike”, thuhet në reagim

    “Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori të gëzojë mbështetjen e duhur për të gjykuar në një mjedis të paanshëm”.

    Për më tepër, kjo deklaratë ka shtyrë edhe anulimin e një takimi të planifikuar të mbahet sot në mes të EULEX-it, PSBE-së, zyrtarëve të lartë të gjyqësorit në Kosovë dhe Ministrisë së Drejtësisë.

    Por, Rreth dy javë më parë, Insajderi ka raportuar se vetë një zyrtar i EULEX-it ka qenë i përfshië në ndikim të një vendimi të gjykatës.

    Anna Adamkska-Gallant, gjyqtare e EULEX-it, është detyruar të ndryshojë një vendim për përjashtim të publikut nga salla pas presioneve të bëra nga Shefi i Divizionit të Fuqizimit të EULEX-it të, Peter Bach.

    Pos, që nuk e ka liruar sallën, e ka detyruar kryetaren e trupit gjykues që ta ndryshojë vendimin për nxjerrjen e publikut nga salla dhe t’ia lejojë atij qëndrimin brenda.

    Mospërfillja e urdhrit të gjykatës, bije ndesh me Kodin Penal të Kosovës. Ky veprim sanksionohet si vepër penale me nenin 401 të këtij Kodi.

    Insajderi kishte provuar të merrte një qëndrim nga Zyra e BE-së lidhur me këtë rast, por Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka thënë se nuk është i njoftuar hollësisht për ngjarjen./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark