Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka thënë se është i shqetësuar me situatën e djeshme në veri të Kosovës.
Ai përmes një postimi në Twitter iu ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të vetëpërmbajtur, derisa ka bërë me dije se janë duke monitoruar situatën bashkë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
“I shqetësuar me incidentet e djeshme në veri të Kosovës. Çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe secili duhet të jetë i qetë dhe të tregojë vetëpërmbajtje. EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, ka shkruar ai në Twitter.
Kryeministri Albin Kurti mbrëmë tha se bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës.Ai tha se për këtë arsye ka edhe prezencë të shtuar të Policisë së Kosovës për të ruajtur rendin dhe ligjin, derisa ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj që po paguan kriminelët për të destabilizuar situatën.