Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, ka thënë se ky mision do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë për të përforcuar luftën ndaj korrupsionit në Kosovë.
“EULEX-i në kuadër të mandatit aktual të tij do të vazhdojë të ofrojë ndihmë për ra përforcuar luftimin e korrupsionit dhe do të ndihmojë në ndërtimin e institucioneve transparente dhe llogaridhënëse në Kosovë,” ka thënë ajo duke folur me rastin e javës kundër korrupsionit.
“EULEX-i i përkrah të gjitha institucionet të cilat e zbatojnë sundimin e ligjit në Kosovë, dhe në veçanti Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) e cila e luan një rol të rëndësishëm në këtë luftë. AKK duhet të mbrohet nga çfarëdo ndërhyrje në mënyrë që ta përmbush mandatin e saj,” ka shtuar ajo.
Në një komunikatë për media dërguar nga EULEX, thuhet se “luftimi dhe ç’është më e rëndësishme parandalimi i korrupsionit janë esenciale për një shoqëri demokratike.”
EULEX-i, përgjatë tërë mandatit të tij me funksionet e tij ekzekutive dhe për fuqizim, ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet kosovare për ta trajtuar këtë problem, thuhet në komunikatë,
“EULEX-i vazhdon të ofrojë trajnime të specializuara dhe ekspertizë për homologët vendas të tij, në rrugën drejt praktikave dhe standardeve evropiane më të mira”./Insajderi.com