Rreth një javë ditë pasi u dënua nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me 18 muaj burg me kusht, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini kishte mohuar një vendim të tillë dhe madje pyetjes “nëse ai po mendon të japë dorëheqje” i ishte përgjigjur me nervozë.
Por, bazuar në profilin e tij në Instagram, Shahini nuk duket aspak nervoz. Madje ai ka nisur një “Euro Trip” duke udhëtuar nëpër vendet e ndryshme të Evropës.
Udhëtimi i tij ka nisur në Francë, ku ka takuar liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Siç ka njoftuar Shahini përmes rrjetit social Instagram, udhëtimin e tij nëpër vendet evropiane, kreu i AKB-së e ka vazhduar në dy qytetet e njohura të Spanjës, Barcelonë dhe Madrid.
Vizitën në Madrid, Shahini e shfrytëzoi të hante drekë në “Santiago Bernabeu”, stadiumin e skuadrës më të suksesshme spanjolle, Real Madrid.
“Madridi vendi i cili futbolli e ka shëndrrue në biznesin më profitabil ne Bot”, shkroi ai në përshkrimin e fotos, teksa në prapavijë shihej terreni i stadiumit “Bernabeu”.
Përmes një fotoje tjetër të postuar në Instagram, Shahini vetvetiu bën të ditur se ka qëndruar në hotelin “Grand Hotel” të Barcelonës.
“Euro Trip”-in e tij udhëheqësi i AKB-së e ka vazhduar në “vendin e pasanikëve” – në Montecarlo të Monakos.
“Një kafe dhe një Ananas në mëngjesi në Monte Carlo për një dit më të mirë”, ka shkruar Shahini në Instagram.
Gjykata Themelore në Mitrovicë e dënoi me 18 muaj burg me kusht Shahinin për shkak se u gjet fajtor se mashtroi bankën “TEB” për një kredi 250 mijë euroshe.
Gjykata Themelore e Mitrovicës, përkatësisht, dega në Vushtrri e dënoi atë dhe vëllanë e tij, Skënder Shahini, me nga 18 muaj burg, por dënimi nuk do të ekzekutohet në afat prej dy vitesh nëse të pandehurit nuk kryejnë vepra tjera penale.
Por Shahini akuzohet edhe nga një bankë tjetër, për mashtrim. Veçse shuma është dyfish më e madhe.
“Raiffeisen Bank” më 5 maj të vitit 2010 kishte dorëzuar në prokurorinë publike komunale në Mitrovicë një kallëzim penal kundër tij. Shahini dyshohet për veprën penale-mashtrim.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte nisur më 10 dhjetor 2013 hetimet kundër Agim Shahinit. /Insajderi.com