×
  • Lajme
  • Lajme

    Europa digjet nga zjarret e shkaktuara nga ndryshimet klimatike

    Insajderi
    03 August 2021 - 12:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Europa është përfshirë nga i nxehti ekstrem, duke regjistruar temperaturat më të larta në dekada. Temperaturat në Greqi kanë shkuar në 48 gradë ndërsa zjarret e furishme kanë shpërthyer në Turqi, Greqi, Itali dhe Finlandë.

    Ndërsa disa vende të Europës po digjen, qeveritë dhe shkencëtarët kanë nisur bisedimet mbi formulimin e një përmbledhjeje të shtatë viteve të fundit rreth klimës. Paneli Ndërqeveritar i OKB -së për Ndryshimet Klimatike (IPCC), i cili do të publikohet më 9 gusht, pritet të nxjerrë përfundime më të qarta në lidhje me ndryshimet klimatike dhe motit ekstrem, siç janë valët e nxehtësisë.

    IPCC ka përmbledhur të dhënat kryesore të klimës në gjashtë – shtatë vitet e fundit. Ed Hawkins, një klimatolog dhe autor kryesor i raportit, tha se ngjarjet e fundit ” do të sigurojnë një kontekst të botën drejt së cilës po shkojmë”.

    Kush e ka fajin?

    Të premten, paneli nënshkroi një marrëveshje, e cila lejon shkencëtarët të identifikojnë gjurmët e njeriut në valët e nxehtësisë, përmbytjet dhe ngjarje të tjera ekstreme. Raporti përfaqëson një zhvendosje të thellë në nivelin e sigurisë dhe detajeve për ngjarjet shkatërruese.

    “Çdo valë e nxehtësisë që po ndodh sot po bëhet edhe më intensive nga ndryshimet klimatike,” tha Friederike Otto, drejtoreshë e asociuar e Institutit të Ndryshimit të Mjedisit, Universiteti i Oksfordit.

    Temperaturat e larta kanë përfshirë të gjithë Europën Jugore. Turqia është goditur nga zjarret dhe përmbytjet. Muajin e kaluar, vendi regjistroi një rekord të ri të temperaturave prej 49.1 gradë.

    Javën e kaluar, më shumë se 100 zjarre përfshinë bregdetin jugor, duke shkaktuar të paktën 8 viktima. Mijëra persona u evakuuan me anije pasi flakët përfshinë vendpushimet dhe fshatrat e plazhit; të paktën 3,000 kafshë humbën jetën.

    Qeveria e presidentit Rexhep Tajip Erdogan është kritikuar për reagimin ndaj zjarreve, për shkak të mungesës së avionëve dhe helikopterëve për shuarjen e flakëve. Të premten, Erdogan pranoi se vendi nuk kishte një avion zjarrfikës në dispozicion të tij dhe kishte huazuar mjete për shuarjen e flakëve nga vendet e tjera. BE tha të dielën se do të dërgojë tre aeroplanë në Turqi, raporton abcnews.al

    Greqia gjithashtu është goditur nga vala e madhe e të nxehtit, me meteorologët që paralajmërojnë temperatura rekord. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha të hënën se vendi po përballet me “valën më të keqe të nxehtësisë që nga viti 1987”, kur më shumë se 1.000 njerëz vdiqën në Athinë. Ai u kërkoi grekëve të zvogëlojnë përdorimin e energjisë elektrike dhe autoritetet u thanë vendasve që të shmangin punën dhe udhëtimet e panevojshme.

    Temperaturat kanë arritur nivele rekord në atë që njihet si “lugina e vdekjes” në Greqinë qendrore, ku temperatura shënoi mbi 44 gradë të hënën. Temperatura më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në Europë është 48 gradë, në 1977 në Athinë.

    Heronjtë e vërtetë janë zjarrfikësit, të cilët luftuan me 116 shpërthime gjatë fundjavës, tha në një deklaratë ministria e mbrojtjes civile. Dhe ndërsa temperaturat pritet të arrijnë kulmin në fillim të kësaj jave, rreziku nga zjarri mbetet i lartë.

    “Deri në fund të javës, kur të rifillojnë erërat e zakonshme të gushtit, atëherë rreziku nga zjarret do të jetë edhe më i madh,” tha Christos Zerefos, një profesor i fizikës atmosferike, për mediat lokale. “Çdo gjë do të jetë tharë dhe gati për të marrë flakë.”

    Temperaturat gjithashtu arritën në 40 gradë në disa zona të Italisë gjatë fundjavës dhe qindra u u evakuuan nga Sicilia ndërsa zjarret shpërthyen në jug të vendit, vetëm një javë pasi zjarret shkatërruese prekën ishullin e Sardenjës.

    Veriu i vendit, ndërkohë u përfshi nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut javën e kaluar. Finlanda, e cila regjistroi temperatura rekord në fillim të korrikut regjistroi shpërthimin më të keq të pyjeve në gjysmë shekulli.

    Ekspertët thanë se temperaturat përvëluese në Europën Jugore po nxiteshin nga rritja e temperaturave me javë të tëra. Rikujtojmë gjithashtu se edhe Amerika Veriore është përfshirë nga një valë e nxehtësie me temperaturat që shënuan 49 gradë.

    Shkencëtarët priten të bëjnë një deklaratë javën e ardhshme në lidhje me rolin e ndryshimit të klimës në rritjen e temperaturave, përmbytjeve dhe fatkeqësive të tjera./abcnews.al

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark