Evakuime në Japoni dhe SHBA pas tërmetit të fortë në Rusi - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Evakuime në Japoni dhe SHBA pas tërmetit të fortë në Rusi

    Insajderi
    30 July 2025 - 09:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një tërmet me magnitudë 8.8, një ndër më të fuqishmit ndonjëherë, goditi të mërkurën gadishullin Kamçatka në lindjen e largët të Rusisë, duke shkaktuar një cunam deri në katër metra të lartë, dëmtime në ndërtesa dhe duke nxitur paralajmërime dhe evakuime në të gjithë Oqeanin Paqësor.

    Gjatë orëve të fundit, disa shtete, përfshirë SHBA-në dhe Japoninë, kanë lëshuar paralajmërime për cunam dhe urdhra për evakuim.

    Në Kamçatka, disa persona janë lënduar, ndërsa në një pjesë të madhe të bregdetit lindor të Japonisë – i cili ishte goditur rëndë në tërmetin dhe cunamin katastrofik të vitit 2011 – është urdhëruar evakuimi i popullatës.

    Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi për valë cunami deri në 3 metra përgjatë pjesës më të madhe të bregdetit. Televizioni publik NHK raportoi se mbi 1.9 milionë persona janë urdhëruar të evakuohen në vende të sigurta pasi valët filluan të godasin bregun.

    Sistemi amerikan i paralajmërimit për cunami është aktivizuar për të paralajmëruar për valë që mund të godasin bregun perëndimor të SHBA-së.

    Parashikimet tregojnë se valë deri në 3 metra mund të godasin bregdetin e Rusisë dhe Ekuadorit, ndërsa valë nga 1 deri në 3 metra mund të prekin Japoninë, Havain, Kilin dhe Ishujt Solomon.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark