Evropa u bë sot rajoni i parë në botë që regjistron më shumë se gjysmë milioni vdekje nga COVID-19, sipas raportimeve nga autoritetet shëndetësore.
Të 52 vendet dhe territoret e rajonit evropian patën gjithsej të paktën 500 069 vdekje, duke kaluar Amerikën Latine dhe Karaibet me 477 404 vdekje, SHBA/Kanada me 321 287, Azinë me 208 149, raporton ATSh.
Që nga tetori, Evropa është bërë sërish epiqendra e pandemisë, së bashku me SHBA-në.
Gati 37 000 vdekje janë regjistruar atje në shtatë ditët e fundit, një nivel rekord që nga fillimi i pandemisë.
Të martën, 6 800 vdekje u regjistruan në 24 orët e fundit, shifra më e lartë për një vit.
Ndër vendet më të goditura, Belgjika mbetet ajo me numrin më të lartë të vdekjeve në raport me popullsinë e saj, me 158 vdekje për 100 000 banorë, e ndjekur nga Italia (110), Bosnjë-Hercegovina (107), Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut (105).