
Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth të premten paralajmëroi aleatët e NATO-s në Evropë kundër supozimit se prania e trupave amerikane në kontinent do të “zgjatë përgjithmonë”, pasi ai u kërkoi atyre të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.
“Tani është koha për të investuar sepse nuk mund të supozoni se prania e Amerikës do të zgjasë përgjithmonë”, u tha Hegseth gazetarëve së bashku me homologun e tij polak në Varshavë.
Ai ishte duke vizituar Poloninë në udhëtimin e tij të parë në Evropë si zyrtar i lartë në Administratën e Presidentit Donald Trump.
Trump u ka bërë vazhdimisht thirrje anëtarëve të NATO-s që të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake.
Hegseth vlerësoi “aleatin model” Poloninë, një vend në krahun lindor të NATO-s fqinj me Rusinë dhe Ukrainën, për shpenzimet e saj të mbrojtjes.
Varshava synon të shpenzojë 4.7 për qind të prodhimit të saj vjetor ekonomik për mbrojtjen në vitin 2025, shumë mbi nivelin minimal aktual të aleancës prej dy për qind.
Trumpi ka thënë më parë se duhet të dyfishohet në pesë për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB).
Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz tha se kapaciteti aktual i prodhimit të armëve të Evropës nuk ishte “i mjaftueshëm”.
“Evropa duhet të zgjohet”, shtoi ai. “Evropa duhet të investojë në industrinë e armëve”.
Hegseth mbrojti përpjekjet e Trumpit për të nisur negociatat për luftën në Ukrainë me liderin rus.
Dhe kur u pyet nëse i besonte presidentit rus Vladimir Putin për të arritur ndonjë marrëveshje të mundshme, Hegseth u tha gazetarëve: “Nuk nevojitet t’i besoni dikujt në mënyrë që të negocioni me ta”.