Rrjeti social Facebook ka shpallur se do të ndërmerr masa të reja për t’i luftuar lajmet e rrejshme në Gjermani.
“Muajin e kaluar ne shpallëm masa për tu marrë me sfidën e lajmeve të rrejshme në Facebook”, tha kjo kompani nëpërmjet një kumtese të zyrës së informacioneve në gjuhën gjermane.
“Ne do t’i bëjmë këto përmirësime në Gjermani, gjatë javëve të ardhshme”, thotë Facebook.
Ky rrjet është kritikuar se nuk ka bërë më tepër për luftimin e lajmeve të rrejshme në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara në vitin 2016, dhe tash po i ashpërson procedurat në Gjermani, para zgjedhjeve parlamentare në këtë vend, përcjell REL.
Politikanët gjermanë kanë tërhequr vërejtjen se partitë populliste dhe shtetet e jashtme mund të përdorin lajme të rrejshme, në përpjekje për ndikim në zgjedhjet parlamentare, që pritet të mbahen në muajin shtator të këtij viti.