Facebook ka zhvilluar një sistem censurimi, në fshehtësi të plotë, i cili do të ishte çelësi i rrjetit social drejt hyrjes në ekonominë e dytë më të madhe në botë, Kinë.
Raporti vjen nga prestigjozja Amerikane New York Times e cila thotë se Facebook ka zhvilluar një softuer i cili bllokon shfaqjen e përmbajtjeve nga disa zona gjeografike në funizuesin e lajmeve me mbështetjen e plotë të Zuckerberg.
Një takim dypalësh u mbajt në Kinë gjatë muajit Mars kur shefi i Facebook takoi Ministrin Kinez të Propagandës, Lui Yunshan raportonte atëherë agjensia kineze e lajmeve Xinhua, shkruan PcWorld.
Kina, shteti i cili ka popullsinë më të madhe në botë të përdoruesve të internetit, bllokoi qasjen në rrjetin social pas protestave Urumqi në Korrik të 2009-tës duke ndaluar rrjedhjen e informacionit lidhur me ngjarjet të cilat lanë 140 të vdekur.
Sipas New York Times, Facebook nuk do e shfrytëzonte vetë sistemin e censurës përkundër do tua ofronte palëve të treta të cilat mund të monitonin vizibilitetin e përmbajtjeve në platformë. Pala e tretë do të kishte pushtet të plotë mbi faktin nëse përmbajtja duhej të shfaqej ose jo.
Megjithatë raporti nuk mund të konfirmojë nëse ky sistem është testuar apo dorëzuar vetë autoriteteve Kineze.