Fajon: Kosova plotësoi më shumë kritere sesa vendet e Ballkanit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Fajon: Kosova plotësoi më shumë kritere sesa vendet e Ballkanit

    Insajderi
    16 June 2016 - 22:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komisioni për liri qytetare, drejtësi dhe punë të brendshme i Parlamentit Evropian të enjten ka zhvilluar debatin e parë për raportin për heqjen e vizave për Kosovën, në procesin e dhënies së pëlqimit për një gjë të tillë pasi kohë më parë Komisioni Evropian kishte thënë rekomandimin.

    Draft raporti për këtë është përgatitur dhe prezantuar sot nga deputetja Sllovene Tanja Fajon, e cila është caktuar të jetë raportuese për procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën.

    Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian,Tanja Fajon, në paraqitjen e saj ka rikujtuar se Kosova ka përmbushur 90 kritere në proces, që është shumë më tepër sesa kriteret të cilat kanë qenë për vendet tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

    Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës në këtë moment mund të udhëtojnë pa viza në vetëm 4 shtete dhe se ky izolim duhet të hiqet edhe përmes liberalizimit të vizave.

    Edhe pse ka thënë se kushti që i është vënë Kosovës që të ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e zi ka qenë kusht shtesë, ajo ka bërë thirrje që marrëveshja të ratifikohet dhe ka rikujtuar deputetët e Parlamentit Evropian se qeveria e Kosovës është e përkushtuar që ta bëjë një gjë të tillë.

    Duke adresuar shqetësimet e disa shteteve për pasojat eventuale në rast të heqjes së vizave për Kosovën, Fajon ka thënë se autoritetet e Kosovës tashmë kanë në funksion një sistem të duhur të dhënies së dokumenteve me standarde të larat të sigurisë dhe se po ashtu vendet anëtare të Bashkimit Evropian do t’i kenë në dispozicion mekanizmat për suspendimin e shpejtë të regjimit pa viza në raste të keqpërdorimeve.

    Edhe përfaqësuesi i Komisionit Evropian i cili ka marrë pjesë në këtë debat ka pohuar se Kosova është duke arritur përparim edhe në dhënien e dëshmive për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë.

    Deputetët evropianë tani mund të japin amendamente në raportin e Fajon dhe pritet që ai të votohet para pushimeve në verës në Komisionin përkatës, për t’u votuar eventualisht në seancë plenare në vjeshtë.

    Liberalizimi i vizave është një proces në të cilin me rekomandim të Komisionit vendimin e marrin vendet anëtare në Këshill dhe Parlamenti Evropian.

    Në të dyja këto institucione të BE-së është duke vazhduar procesi, por nuk duan të përmendin afate kohore se kur mund të ndodhë edhe heqja formale e vizave për qytetarët e Kosovës. (REL)


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark