Fajon: Që të mos humbet shansi për vizat duhet ratifikimi i demarkacionit para pushimeve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Fajon: Që të mos humbet shansi për vizat duhet ratifikimi i demarkacionit para pushimeve

    Insajderi
    06 July 2016 - 15:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, i tha Radios Evropa e Lirë se “nëse Kuvendi i Kosovës nuk e bën ratifikimin e marrëveshjes para pushimeve të verës, do të mund të rrezikojë votën në Parlamentin Evropian dhe të shtyjë gjithë procesin”.

    Ajo tha se qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për obligimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, që do të mundësonte hapjen e procesit të liberalizimit të vizave. Fajon, që mori vendimin për shtyrjen e votimit në komitetin LIBE deri më 5 shtator, në vend të 12 Korrikut, siç ishte paraparë, tha se përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme evropiane janë të qartë se “pa përmbushjen e kushtit për demarkacion nuk mund të arrihet shumica e votave në Parlamentin Evropian”.

    Raportuesja e PE-së për liberalizim të vizave, Tanja Fajon, në vendimin e saj për shtyrje të votimit në Komisionin për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, tha se “është e detyruar ta bëjë për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në përmbushjen e kriterit të fundit”.

    Fajon u bëri thirrje autoriteteve në Prishtinë që të përmbushin kushtet, përmes ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes së demarkacionit, “përpara pushimeve të verës”.

    “Nëse duam që të kemi një zë të fuqishëm dhe një porosi të fortë në Parlamentin Evropian, atëherë duhet të ratifikohet kjo marrëveshje. Kam pyetur Komisionin dhe të gjitha institucionet e tjera për kushtet që i janë vënë Kosovës. Ju e dini se jam ithtare e liberalizimit, por fakti dhe realiteti janë se këto vende dhe Komisioni po kërkojnë përmbushjen e këtij kriteri, dhe vetëm kështu mundësohet liberalizimi. Nëse Kuvendi këtë e bën pas pushimeve të verës në Kosovë, kjo do të mund të rrezikojë votën në Parlamentin Evropian dhe të shtyjë gjithë këtë çështje. Nuk dua që kjo të ndodh dhe nuk dua që të humbim kohë”, tha Fajon. /Rel

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark