Qeveria e Kosovës i ka marrë meritat për liberalizimin e vizave.
“Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante. Pas një pritjeje të gjatë, ky është një moment kyç i përafrimit të vendit tonë me familjen evropiane”, thuhet në komunikatën drejtuar mediave, shkruan Gazeta Insajderi.
Ndaj kësaj deklarata ka reaguar Demush Shasha, njohës i integrimeve evropiane, i cili ka thënë se është misterioze mungesa e zemërgjerësisë së Qeverisë.
“Edhe nëse shkojmë në ekstrem dhe e pranojmë pretendimin e VV-së se fal punës së tyre u përmbush një kriter i mbetur (sundimi i ligjit), prapë mbesin 94 kritere të tjera të cilat ata nuk i kanë përmbush, por dikush tjetër”, ka shkruar Shasha, transmeton Gazeta Insajderi.
“Dita sikur kjo e sotme duhet të jetë ditë përbashkuese dhe festive e gjithë spektrit politik. Barra e zgjatjes së dorës është çdo herë mbi shumicën”.