Me një vendim të pazakontë, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) i mohoi pretendimet e Policisë së Kosovës, se biznesi “Astraplan Sh.P.K” – i cili ishte i vetmi në mesin e operatorëve ekonomikë të përgjegjshëm – se kur kishte aplikuar për tenderin për ndërtimin e Stacionit Policor Veri në Prishtinë (1.5 milion euro) s’kishte arritur të provojë se disa inxhinierë kanë përvojë pune tek firma e tij. Për t’i shuar dyshimet, Policia e Kosovës përmes komunikimeve me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) kishte dëshmuar se në vitet në të cilat inxhinierët kanë shkruar në CV-në e tyre se kanë qenë të angazhuar si “bashkëpunëtorë profesional” s’kanë qenë të regjistruar si punëtorë të firmës së Florim Istrefit. Gazeta Insajderi ju sjell detaje nga ky rast:
Policia e Kosovës kishte ngritur pretendime për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim në lidhje me përvojën dhe kualifikimet e stafit të firmës “Astraplan SH.P.K.”, por OSHP e konsideroi kërkesën e saj si të pabazuar dhe pa prova, shkruan Insajderi.
Në vendimin e saj, OSHP argumentoi se dokumentacioni i dorëzuar nga Astraplan përmbushte të gjitha kërkesat e tenderit dhe pretendimet e Policisë mbi falsifikimin nuk gjetën mbështetje ligjore. Policia kishte kërkuar që Astraplan të futet në “listën e zezë” për një vit, duke e përjashtuar nga tenderët publikë, mirëpo kjo kërkesë u rrëzua pasi sipas panelit shqyrtues nga Vedat Poterqoi, nuk pati provat e qarta për të mbështetur akuzat e saj.
Kësisoj, në vend se të anulohej tenderi në vlerë prej 1.5 milion euro, me vendim të OSHP’së është vendosur në rivlerësim.
Gazeta Insajderi ka kërkuar nga Policia e Kosovës përmes kërkesës për qasje në dokumente publike CV-në e inxhinierëve, komunikimin me ATK’në dhe dokumente tjera relevante që provojnë mashtrimin që ka tentuar ta bëjë ‘Astraplan SH.P.K’. Kërkesës iu është përgjigjur pozitivisht Policia e Kosovës.
Bedri Asllani, Xhemshir Mulliqi, Sabri Zeqiri, Arban Grajqevci dhe Skender Cakaj ishin në listën e inxhinierëve të prezantuar si bashkëpunëtorë profesionalë në ‘Astraplan SH.P.K’ me përvojë më gjatë se tri vite pune. Në mënyrë që t’i përshtateshin specifikat e tenderit.
Prokurimi i Policisë së Kosovës ka vënë në pikëpyetje atë çfarë iu është prezantuar nga “Astra Plan Sh.P.K”. Përmes letrës standarde të kërkesës për sqarim të tenderit, Policia i drejtohet operatorit ekonomik për t’i kërkuar dëshmi për pagesat për tatim në kohën sa deklarojnë të kenë qenë të angazhuar në firmë.
Pos tjerash, autoriteti kontraktues kërkon një deklaratë me shkrim se si do të mbulohet orari i plotë, meqë të gjithë bashkëpunëtorët profesionalë janë prezantuar si të angazhuar me gjysmë orari.
Dyshime kanë edhe për çështjen e nënshkrimeve.
“Po ashtu me qenë se në kontratë bashkëpunimi dhe në CV e këtij inxhinieri është nënshkrim elektronik, kërkojmë të sillni një deklarata shtesë nga ky Inxhinier që vërteton që ka nënshkrua këtë kontrata dhe po ashtu një deklarata që të gjitha evidentimet në CV janë të dhëna të vërteta. Te gjitha dëshmitë duhet te procedohen përmes sistemit te E-prokurimit“, thuhet ndër të tjera në letrën standarde drejtuar operatorit ekonomik, të cilën e ka parë Insajderi.
Astraplan SHPK’ mënjanon kërkesat e autoritetit kontraktues, duke u drejtuar për në Gjykatën e Tenderëve. Në ankesën e tyre, thuhet se Policia e kosovës po tenton qëllimisht ta dezinformojë panelin shqyrtues me termin “bashkëpunëtor profesional me parakontratë”.
“Gjithashtu ju bëjë me dije se për inxhinieret e apostrofuar nga AK-ja, qe ne kemi prezantuar për këtë aktivitet të prokurimit, në kompani Astraplan shpk janë me parakontratë (në cilësi të bashkëpunëtoreve profesional), dhe se të njëjtit nuk janë në mardhënje të përhershme të punës Pra autoriteti kontraktues konkretisht z. Artan Fejza qëllimisht tenton të dezinformon Panelin Shqyrtues, duke tentuar të manipulojë me termin i punësuar në vend të termit bashkëpunëtor profesional me parakontratë për projektin e lartcekur, gjithashtu tenton te ndryshoj kriterin e DT-s, nga punëtor me parakontrata ne punëtorë te rregullt me liste te ATK-së”, thuhet ndër të tjera në ankesën e operatorit ekonomik.
“Pra arsyet e eleminimit tonë për kriter i cili nuk ka qenë i paraparë as në njoftim për kontratë e as në dosje të tenderit rezulton se është i kundërligjshëm dhe i qëllimshëm nga Artan Fejza dhe atë pse ja kemi prishur matematikat për përfitime personale dhe për shkak te inateve personale qe ka me neve si kompani”, thuhet ndër të tjera në ankesë.
Insajderi ka siguruar komunikimet e Policisë së Kosovës me ATK’në përmes kërkesës për qasje në dokumente publike. Në shkëmbimin përmes emailëve, Policia e Kosovës kërkon nga Administrata Tatimore e Kosovës të vërtetojë se emrat e lartcekur të inxhinierëve kanë qenë të regjistruar në periudhat e cekura në ‘Astraplan SH.P.K”.
Në listën që zyrtarja e ATK’së ia ofron Policisë së Kosovës, dëshmohet se vetëm Sabri Zeqiri është paguar në muajin nëntor-dhjetor më 2022-ën. Pra, pasi që është hapur shpallja e ofertimit për tenderin për ndërtimin e stacionit policor në veri të Prishtinës.
Gazeta Insajderi ka arritur të shohë edhe deklaratat nën betim të inxhinierëve që iu janë dorëzuar autoritetit kontraktues. Ata deklarojnë me përgjegjësi morale dhe juridike se të gjitha dokumentet e prezantuara nga Astraplan janë të vërteta. Po ashtu, edhe se të gjitha evidentimet në CV janë të vërteta.
“Unë Bedri Asllani i lindur me lëshuar nga MPB, i diplomuar UP, DEKLAROJ me përgjegjësi juridike, profesionale dhe morale se unë e kam nënshkruar para kontraten/kontratë pune për punë dhe detyra specifike e prezantuar ne dokumentet e tenderit, si dhe te gjitha dokumentet e prezantuara nga Astraplan shpk ne emrin tim janë te vërteta dhe se Unë jam bashkëpunëtor profesional ne lëmin e arkitekturës ne Astraplan shpk për projektin ne fjale, dhe mendojmë se do te vazhdojmë me te njëjtin ritëm bashkëpunimin edhe ne te ardhmen për projektet te ndryshme. Njëkohësisht DEKLAROJ me përgjegjësi juridike, profesionale dhe morale se te gjitha evidentimet ne CV janë te vërteta”, thuhet në një nga deklarimet nën betim të inxhinierëve.
“Deklarimi i rremë nën betim”, është vepër penale e cila sanksionohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës në kapitullin e veprave penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike.
Kodi Penal në fuqi ka paraparë dënim me gjobë apo me burgim, me maksimumin prej pesë vitesh për deklarim të rremë nën betim.
“Kushdo që pasi të ketë dhënë betimin pranë organit kompetent për të administruar dëshmitë e dhëna nën betim ose betimet dhe pastaj nënshkruan dëshminë nën betim ose deklaron diç që nuk beson se është e vërtetë ose me dijeni fsheh ose shmang nga deklarimi ndonjë çështje relevante për procedurën, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”, parashihet në paragrafin 1 të nenin 383 të KPRK-së. /Insajderi.org/